Trajneri Duro ka konfirmuar se palët janë larg njëra-tjetrës. “Nuk kemi asnjë akord me lojtarin, pra nuk kemi mundur të gjejmë dot një marrëveshje mes nesh”.
Elton Nika
Elis Bakaj është larg Flamurtarit pasi më të nuk është arritur një akord për t’u bërë pjesë të skuadrës vlonjate për sezonin e ardhshëm futbollistik. Ndërkohë në kampin vlonjat pritet të nisin fazën përgatitore në gjendjen aktuale dhe gjatë rrugës do të shihet edhe për ndonjë tjetër afrim të mundshëm. Për momentin Bakaj ka si synim një transferim në një kampionat tjetër jashtë vendit.
Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, ka konfirmuar për gazetën se me ish-lojtarin e Vllaznisë nuk është arritur asnjë akord, çka do të thotë se për lojtarin mbetet shumë e vështirë për ta parë me fanellën kuq e zi sezonin e ardhshëm, edhe pse deri në fund mund të ketë ndonjë surprizë.
“Jo, me Bakajn nuk kemi arritur asnjë akord. Nuk kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Një pistë e mbyllur përfundimisht? Për momentin po. E theksova se nuk kemi asnjë akord me lojtarin, pra nuk kemi mundur të gjejmë dot një marrëveshje mes nesh, çka i thotë të gjitha. Unë Bakajn e kam thënë me parë se e kisha në planet e mia dhe i kemi bërë ofertën tonë, por nuk kemi gjetur dakordësinë, ndaj tashmë mund të shohim për diçka tjetër në merkato. Gjithsesi, them se stërvitja e skuadrës do të nisë me lojtarët që kemi aktualisht. Ashtu do ta startojmë fazën përgatitore, duke nisur nga ditët e para në Vlorë dhe më pas do të shohim. Natyrisht, nëse në vijim do të kemi diçka të rëndësishme me lojtarë që na interesojnë në treg, atëherë do të ndërhyjmë, por do të veprojmë me kujdes.
“Tashmë ne e kemi krijuar grupin e lojtarëve dhe me skuadrën që kemi do të nisim përgatitjet si edhe e kemi theksuar, në datën 19 korrik. Më pas do të shohim se si do të veprohet më tej edhe në merkato. Një tjetër afrim pritet ta bëjmë në vijim, por sa i përket Bakajt duket larg. Mendoj se duke nisur fazën përgatitore do të shohim edhe nevojën ku mund të ndërhyjmë dhe e kam thënë se në sulm na duhet një tjetër lëvizje. Gjithsesi gjithçka në kohën e duhur, asgjë me nxitim, duke studiuar gjithçka me vëmendje dhe afruar lojtarin që i nevojitet skuadrës”, ka deklaruar tekniku Duro, ndërkohë që siç edhe ai vetë e tha, pista që të çonte tek Elis Bakaj tashmë është lënë pas. Nga burime të klubit vlonjat mësohet se ka pasur diferencë mes ofertës dhe kërkesës së lojtarit dhe për momentin gjithçka është e ngrirë.