Ditën e sotme, në orën 21:00, të gjithë prozhektorët e Premier Ligës, do të jenë të përqendruar në “Old Traford”, pasi do të luhet supersfida Mançester Junajtid-Arsenal. Kjo sfidë njihet për rivalitetin e saj, por mbi të gjitha, për dy trajnerët legjendarë të ekipeve, Sër Aleks Ferguson në njërin krah dhe Arsen Venger në krahun tjetër.
Pikërisht sfida që do të luhet sot, do të jetë një ndeshje mjaft e veçantë, kjo për faktin se është takimi i parë që luhet midis dy klubeve, ku nuk është trajner as Sër Aleks, as Venger. Plot 32 vite, që nga viti 1986, një gjë e tillë nuk ndodhte në një përballje mes Junajtid dhe Arsenal.
Sot në stol do të jenë, Murinjo, i cili është prej kohësh trajner i Junajtid dhe në krahun tjetër vjen për të luajtur për herë të parë këtë përballje, Unai Emeri. Arsenal vjen më mirë në këtë ndeshje pasi favorizohet nga renditja dhe nga ecuria e kohëve të fundit, ndërsa Mançesteri vjen mes shumë ulje-ngritjesh.