Laçi do të luajë nesër kundër Teutës, një sfidë shumë e rëndësishme sa i takon objektivave që kanë dy skuadrat, që synojnë Kupat e Europës. Si Laçi, ashtu dhe Teuta, vijnë pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë dhe vendi i tretë në kampionat shihet si domosdoshmëri për sezonin e skuadrave. Klubi i Laçit, me anë të një njoftimi në Facebook, shkroi se hyrja në stadium do të jetë falas, në mënyrë që mbështetja të jetë sa më e madhe për këtë takim shumë të rëndësishëm.
Njoftimi i klubit të Laçit
“Fillimisht ju falenderojmë në emër të ekipit për mbështetjen dhe entuziazmin që sollët në ndeshjen e fundit. Ditën e nesërme skuadra do të luajë me të njëjtin rendiment si ndeshjen e Kupës dhe objektivi i vetëm është FITORJA!!!!
Gjendemi një hap larg objektivit për kupat e Europës. Klubi ka vendosur të hapë dyert nesër për ndeshjen kundër Teutës. Përballë tribunës dhe mbrapa portave hyrja është e lirë! Vetëm fitorja do të na kënaqë nesër!”