Serran merr “valixhet”: Këto javë përjetova makth

Spanjolli largohet pas vetëm 2 ndeshjesh si kuksian. Një penallti e shkaktuar në Moldavi dhe një shtyllë në Elbasan, do të jenë shenjat që la

Jurgen Zela

Ajo shtyllë në minutën e fundit shtesë vendosi fatin e kualifikimit të Kukësit, por jo vetëm. Në pak milimetra, qendërmbrojtësi Albert Serran pa që të eklipsohej dhe mundësia e tij për të shlyer gabimin e ndeshjes së parë, por ndoshta dhe për të ndryshuar mendimin e tij që aventurën me kuksianët ta vijonte së paku dhe për pak javë më shumë. Saktësisht, një muaj më parë, më 20 qershor, Serran zbarkonte në Kukës si një nga blerjet më të rëndësishme dhe kishte një detyrë delikate, të mbulonte largimin e Albi Allës. Ishte formuar tek akademia e Espanjolit, ka luajtur në kampionatin anglez dhe qipriot, ndërsa në Kukës u konsiderua si nja nga afrimet më të bujshme për shkak të CV së tij. Aventura e tij te Kukësi kaloi në disa faza të rëndësishme dhe vendimtare, që përcaktuan të ardhmen e tij. Pas miqësoreve në Austri përfundoi i skeduar nga policia vjeneze para nisjes për Moldavi së bashku me shumë futbollistë e drejtues, pati akuza të forta për trukim pas ndeshjes së parë me Sherifin nga drejtuesit e Kukësit, ndërsa festa e ditëlindjes dhe shtylla e minutës së fundit në Elbasan u duk se rregulluan diçka në raportin me Kukësin. Kaq shumë ngjarje në 30 ditë janë shumë dhe Serran nuk e sheh dot më veten në Shqipëri. Paraditen e djeshme kërkoi një takim me presidentin Gjici, ku parashtroi kërkesën që të ndërpresë bashkëpunimin. Numri një i kubit të Kukësit është pajtuar me këtë ide dhe ka vendosur që gjithçka të marrë fund në mënyrë konsensuale. Rrugët e Kukësit dhe spanjollit të lindur në Barcelonë u ndanë këtu. Një ndarje e pritshme…

SERRAN

Arsyeja e largimit nuk ka aspak vend për imagjinatë, lojtari te Kukësi ka përjetuar një nga përvojat më të hidhura në jetë. Ajo penallti e shkaktuar në Moldavi u pasua me një lumë akuzash nga drejtuesit e Kukësit (i kontrolluan edhe laptopin), të cilët jo pak e rënduan psikologjikisht lojtarin, që siç duket e kishte ndarë mendjen që të largohej nga Kukësi pas “bombardimit” që iu bë. I rënduar psikologjikisht, qendërmbrojtësi e kishte të pamundur të vazhdonte me Kukësin dhe nuk ndihej aspak i lumtur. “Sport Ekspres” kontaktoi me lojtarin, i cili nuk ngurroi që të japë një prononcim për eksperiencën një-mujore tek Kukësi. Ndryshe nga dalja e fundit e tij në media, kur deklaroi se ishte i lumtur për aventurën tek kampionët, gjithçka duket se ka qenë një “maskim”, ndoshta dhe për të mirën e skuadrës.

Serran shpreson që ajo që ka përjetuar ai, nesër të mos ndodhë me askënd tjetër: “Është e pabesueshme çfarë kam jetuar këto javë. Jam shumë i zhgënjyer. Është turp, pasi ajo situatë mund të ndodhë përsëri nesër me lojtarë të tjerë”. Sot, 33-vjeçari, i cili ditëlindjen e tij e festoi vetëm para pak ditësh, nuk do të largohet vetëm me mendime negative, pasi e pranon se në Shqipëri ka gjetur dhe njerëz të mirë, por normalisht, siç dhe vetë ai e pranon, i frikësohej faktit se precedenti mund të përsëritej, me të dhe me të tjerë. Kjo ka qenë një arsye e fortë që në të ardhmen të evitonte një situatë të ngjashme me atë të Moldavisë. Një largim i hidhur për të dhe për Kukësin, pasi disa milimetra mund të kishin ndryshuar gjithçka, por ndoshta dhe asgjë, pasi mbrojtësi e kishte vendosur që të largohej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *