Kukësi në ajër, gjithçka varet nga Gjici

Presidenti i Kukësit duhet të vendosë. Trajneri Gjoka, Pejiç dhe disa nga lojtarët kryesore janë pa kontrata, madje kanë edhe oferta të rëndësishme

Jurgen Zela

Plot pesë vitet në majat e futbollit shqiptar, por me siguri Kukësi i kësaj të mërkurës ishte një nga më të bukurit që kemi parë. Më shumë se kundërshtari, ishte fati ai që i tregoi derën e daljes nga Champions, por me kokën lart, pasi bëri gjithçka që të arrinte përmbysjen e madhe. Në fushë u sollën si një kampionë të vërtetë, duke lënë pas krahëve të gjitha problematikat që e shoqëruan para dhe gjatë përballjeve evropiane. Përballë një kundërshtari shumë herë më të fortë, u pa një lojë mjaft dinjitoze, ku në shumë pak raste miqtë ishin superiorë. Fundi i ndeshjes solli eliminimin e Kukësit nga kupat e Europës, njëkohësisht dhe përfundimin e kontratave për një pjesë të mirë të lojtarëve.

GJOKA

Në vitet e fundit numri i trajnerëve në krye të Kukësit ka qenë relativisht i lartë. Vetëm në dy raste trajnerët e emëruar në fillim të sezonit kanë arritur që të drejtojnë skuadrën gjatë gjithë sezonit dhe në kupat e Europës. Aventura e Ernest Gjokës te Kukësi ka nisur saktësisht 364 ditë më parë, kur me 22 korrik të vitit të shkuar mori drejtimin e verilindorëve. dy trofe të fituar dhe vetëm 3 humbje në harkun kohor të një viti. Është mundur në takimin e Kupës me Tiranës,- dihet historia e asaj sfide – në ndeshjen e fundit të kampionatit me Luftëtarin, ku ishte mbyllur kapitulli i titullit dhe në ndeshjen e parë me Sherifin e Tiraspolit, me një 11-metërsh që vendosi fatin e takimit. Pas performancës së kënaqshme në Champions, Kukësi është pa trajner, pasi kontrata e teknikut ka përfunduar. Presidenti Gjici kishte vendosur si kusht që kalimi i Sherifit do të sillte një rinovim automatik të kontratës. Megjithatë, vetëm pak ditë më parë deklaroi se dhe në rast eliminimi do të diskutohet e ardhmja e Gjokës, duke lëshuar një sinjal që mund të ketë një bashkëpunim të mëtejshëm.

PORTA

Enea Koliçi është një nga më të kërkuarit te skuadra e Kukësit, pasi ofertat për të nuk kanë munguar që para kupave të Europës. Ka interesim konkret nga Turqia, Franca dhe Qipro dhe gjithë kjo vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, që u shoqërua edhe me një performancë fantastike në sfidat me Sherifin. Verilindorët rrezikojnë të humbasin një nga lojtarët më të spikatur.

MBROJTJA

Ylli Shameti është një lider te skuadra e Kukësit dhe jo më këto është dhe zëvendëskapiteni i skuadrës. Ashtu si një pjesë e mirë e lojtarëve të skuadrës, edhe gjirokastritit i ka përfunduar kontrata. Në Kukës ka bërë mirë, ashtu siç dhe nuk e ka mohuar dëshirën që të vijojë bashkëpunimin. Pas largimit të Allës dhe Serran, Shameti mbetet lojtari i vetëm me eksperiencë në qendër të mbrojtjes.

MESFUSHA

Besar Musolli dhe Nijas Lena formuan së bashku repartin e qendrës së mesfushës ndaj Sherifit, duke bërë mjaft mirë. Musolli, pas pesë vitesh nuk e di ende të ardhmen e tij, megjithatë me shumë gjasa drejtuesit e kanë gati kontratën për të. Nijas Lena po ashtu e ka shprehur prej muajsh që do të ishte i gatshëm të rinovonte dhe pret hapin e Kukësit.

SULMI

Dy goleadorët e Kukësit, Pero Pejiç dhe Izair Emini, gjithashtu mund të konsiderohen lojtarë të lirë. “Bomberi” kroat, edhe pse mund të cilësohet i pazëvendësueshëm, me penalltinë e humbur dje u ka lënë “shije” të hidhur drejtuesve, që kanë menduar largimin e kroatit. Kuotat për largimin e tij janë rritur ndjeshëm. Emini bëri një performancë të shkëlqyer, por vetëm pak kohë më parë u përfol për një largim të mundshëm për te Shkëndija. Mbetet për t’u parë nëse Kukësi do t’i ofrojë një kontratë të kënaqshme, pasi dhe vetë lojtari deklaroi se nëse kushtet e kontratës do të jenë të favorshme, atëherë do ishte i lumtur që së paku dhe për një sezon të ishte pjesë e kampionëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online