Serena Uilliams gjobitet për sherrin në finalen e US Open

Finalja e US Open në tenis këtë fundjavë përfundoi në qendër të vëmendjes anembanë botës për arsyen e gabuar.

Duhet të ishte lajm dite fakti që një vajzë 20-vjeçare mbërriti për herë të parë në finale dhe fitoi, por suksesi historik i japonezes Naomi Osaka u mjegullua nga sherri i Serena Uilliams me gjyqtarin e ndeshjes Karlos Ramos.

Ky i fundit ndëshkoi disa herë amerikanen për faktin se trajneri i saj foli gjatë ndeshjes dhe me pas Serena shpërtheu në akuza, duke e quajtur “hajdut” gjyqtarin e takimit.

Pas ndeshjes Uilliams nuk i ndali akuzat, duke folur për seksizëm në tenis dhe trajtim jo të barabartë, pasi në tenisin e meshkujve shpesh kalohen pa ndëshkime shumë sjellje të konsideruara të gabuara.

Ngjarja në US Open i ka kushtuar një gjobë të rëndë Serenas, e cila duhet të paguajë 17.000 dollarë, shifër simbolike gjithsesi, për një ndër sportistet më të pasura në planet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *