Junus Sentamu nuk duket në kryeqytet. Sulmuesi anësor i Tiranës i ka bërë udhë vonesat dhe kështu ka ndodhur edhe këtë herë. Prej tij justifikimi në klubin bardheblu ka mbërritur prej ditësh. Çështje dokumentacioni, por puna është punë dhe përgjegjësia absolutisht është e gjitha e lojtarit.
Deri më tani nuk është se ka pasur ndonjë gjobë për sulmuesin, por absolutisht vonesa e tij nuk është pritur mirë nga drejtuesit e Tiranës. Kështu, duke parë situatën e krijuar, në kampin bardheblu po mendojnë të shkojnë edhe në FIFA nëse Sentamu do ta shtyjë gjatë rikthimin e tij.
Durimi e ka një kufi dhe absolutisht sulmuesi, apo kushdo qoftë, nuk mund të vihet para objektivave të klubit. E mërkura e rikthen Tiranën në fushën dhe përballja e parë në Kupë me Flamurtarin është shumë e rëndësishme.
Trajneri Mema nuk do e ketë Sentamu në fushë, ndërkohë që gjatë fazës edhe pjesa tjetër e afrikanëve kanë mbërritur disi më vonesë. Kjo normalisht nuk është diçka e mirë, por është bërë si është bërë dhe të gjithë po punojnë të jenë në maksimum për pjesën e dytë të sezonit.
Sentamu nga ana tjetër duhet të kthehet sa më parë, ndryshe do të duhet që gjithçka të zgjidhet përmes gjyqeve. Në këtë rast Tirana nuk ka asnjë faj, madje është palë e dëmtuar.