E mbani mend kur para disa vitesh Xhovani Trapatoni shpërthente në një konferencë për shtyp, duke akuzuar lojtarët e Bajernit se merreshin më shumë me llafe, sesa stërvitje? Ishte epokë e errët, Bajerni nuk ishte në lartësinë e emrit të vet në Europë dhe gazetat shkruanin më shuma për skandale, sesa futboll të luajtur.
Tani Bajerni duket se po ndjek të njëjtën rrugë, sepse largimi i Karlo Ançelotit po prodhon çdo ditë lajme absurde. I fundit del në dritë sot dhe lidhet me ankesat e disa prej lojtarëve kryesorë në skuadër, për sa i përket stërvitjes së trajnerit italian.
Manuel Nojer, Tomas Myler dhe Zherom Boateng i janë ankuar shefit ekzekutiv të klubit, Karl-Hainc Rumenige, pikërisht për këtë. Për “senatorët”, Don Karlo ishte një trajner dembel dhe i stërviste pak e keq, aq sa lojtarët janë detyruar të bëjnë stërvitje shtesë pa lejen e italianit në një fushë tjetër.
Arjen Roben është shprehur se edhe djali i tij te fëmijët stërvitet më mirë se Bajerni me një trajner si Ançeloti. Sipas medies gjermane, brenda skuadrës ka pasur disa mosmarrëveshje. Ançeloti i ka aktivizuar shumë spanjollët, Thiago Alkantara dhe Havi Martinez, rivalët e drejtpërdrejtë të gjermanëve Myler dhe Boateng, të cilët nuk e kanë pranuar këtë fakt.