Semafori në dorë të Gegës, Hebaj është në “udhëkryq”

Në verë ishin të shumta klubet që kërkonin një sulmues. Ali Soue dhe Sindrit Guri u larguan, ndërkohë që shënuesi i tretë më i mirë në sezonin e shkuar, Rexhinaldo, u bind nga Kukësi dhe nënshkroi për një sezon.

Partizani zgjodhi të rikthente në Superiore Rubin Hebajn. Shkodrani u mor në huazim nga Domzhale dhe ende nuk k treguar vlerat e tij të vërteta. Trajneri Skënder Gega në daljet e tij publike e ka mbrojtur në maksimumin sulmuesin e tij.

Për javë të tëra është thënë se janë të kënaqur me lojtarët e sulmit që kanë dhe se nuk po mendojnë të ndërhyjnë në merkato. Situata tani është ndryshe dhe Partizani realisht po shikon për një sulmues. Vasil Shkurtaj është në krye të dëshirave të të kuqve.

SHIFRAT E HEBAJT TE PARTIZANI– Vetëm një gol i shënuar me fanellën e kuqe. Shkodrani i ka realizuar Tërbunit të Kategorisë së Dytë në Kupë. Në kampionat ende është në kërkim të golit dhe deri më tani është aktivizuar në 9 ndeshje. Pesë prej tyre i ka nisur si titullar.

Në dy ndeshjet e fundit ka marrë pak minuta. Kundër Laçit u aktivizua në minutën e 89-të. Partizani ishte në avantazh dhe mund të merret thjesht si një strategji për të vonuar lojën. Me Kastriotin nuk pati asnjë minutë për sulmuesin, edhe pse lojtarët e tjerë shpërdoruan shumë.

MOMENTI I SË VËRTETËS – Tre gola në dy ndeshje. Rubini i ka shënuar Maltës në dy miqësoret që Shqipëria U21 fitoi së fundmi. Shkodrani i sulmit tashmë ndihet i çliruar disi dhe mendon të japë më të mirën e tij për Partizanin. Dëshira është e madhe, por për këtë duhet të zbresë në fushë.

Trajneri Skënder Gega ka mundësinë që ta fitojë sërish sulmuesin, ose edhe ta humbasë përfundimisht. Gjithçka është në dorë të Hebajt, i cili duhet të tregojë që jo më kot Domzhale e transferoi nga Vllaznia, apo pse Partizani i besoi atij dhe jo ndonjë sulmuesi tjetër.

Dilema për Gegën, pasi Bardhi momentalisht po bën paraqitje të mira dhe në dy ndeshjet e fundit në Superiore ka arritur të shënojë tre gola. Gjithsesi Hebaj e dha një mesazh për trajnerin e të kuqve, i cili duhet tanimë të menaxhojë situatën. Çfarë do të ndodhë, do të shihet… Gega ka në dorë të ndezë “jeshilen” ose të “kuqen”. Hebaj ka arritur në “udhëkryq”.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *