Ish-futbollisti i njohur shkodran i viteve 70-të, Selami Dani, gjykon se në raport me sezonin e kaluar, kuqeblutë këtë radhë janë më herët në organizim
Gaspër Marku
Për Selami Danin, veteranin e nderuar të futbollit shkodran, i cili krahas Vllaznisë, gjatë karrierës së tij shumë të pasur sportive, ka kontribuar edhe për ekipet e Partizanit e Dinamos, si dhe Kombëtaren, kuqeblutë janë më herët në organizim. Këtë konkluzion ai e nxjerr për faktin se në krahasim me një vit më parë, këtë herë në aspektin organizativ dhe sidomos në aspektin e gjetjes së lojtarëve të duhur janë më herët. Ai nënvizon edhe faktin se Vllaznisë po i rikthehen lojtarët e saj cilësorë, teksa thotë se është një gjë shumë e mirë. “Do të doja që situata të ishte si në kohën tonë, kur Vllaznia, jo vetëm ishte e barabartë, por në periudha të ndryshme dominonte totalisht futbollin shqiptar”, thotë ish-futbollisti shkodran, që edhe pse ka kohë që është larguar nga futbolli, vazhdon të jetojë me emocionet qa i fal skuadra e qytetit të tij. Sipas tij, një gjë e tillë për momentin është shumë e vështirë, sepse në këtë rast ai thotë paraja, investimet, presidenca e marifete janë futur në futboll. “Shoh gjëra të mira, po kthehen disa futbollistë të Shkodrës, të cilët do të mbrojnë ngjyrat e Vllaznisë së qytetit të tyre. Mendoj se janë më herët se çdo vit tjetër në lidhje me merkaton e verës”, shprehet ish-futbollisti Selami Dani,që mendon se duhet marrë edhe ndonjë lojtar tjetër, pse jo ndonjë i huaj i afirmuar.
Pësimi të bëhet mësim
Në vijim të prononcimit të tij, Dani kujton vështirësitë që iu krijuan Vllaznisë në fund të kampionatit, duke u ndalur kryesisht tek ballafaqimi i javës së fundit, Vllaznia-Tirana. “Momente shumë të vështira për shkodranët, momente që sa here rikujtohen, rrëqethjet e trupit janë të njëjta si po atë ditë”. Dani shpreson dhe beson se Vllaznia nuk ka për ta lënë veten të shkojë më në atë situatë. “Pësimi duhet të kthehet në mësim. Nuk ma merr mendja se do të jetë më Vllaznia në atë gjendje, kam përshtypjen se pësimi që kemi pasur sezonin e kaluar do të na bëhet mësim, sepse siç e thashë edhe më sipër, jemi më herët se sa vitet e tjera në merkato. Pra, nuk jemi duke marrë lojtarët që kanë mbetur, por jemi duke i zgjedhur ato për nga ana cilësore”, thotë ish-futbollisti Dani.
Gërshetimi i brezave
Në analizën që ish-futbollisti Selami Dani i bën skuadrës së qytetit të tij, ndër të tjera është i mendimit se përfshirja me shumicë e futbollistëve shkodranë, dhe sidomos elementit të ri është mjaft pozitive. “Duke pasur parasysh edhe ndeshjet e fundit të Vllaznisë, ku formacioni ishte kryesisht me shkodranë, kjo më bën të kem më shumë besim që gjërat do të shkojnë më mirë se sa herët e tjera”, thotë ai, duke qenë i mendimit se është në të mirë të punës që gërshetimi i elementit cilësor me përvojë me të rinjtë të jetë sa më i studiuar, sepse në rast të kundërt, nëse i besohet vetëm të rinjve, rezultatet nuk kanë garanci. “Mua më kujtohet koha kur unë kam qenë i ri. Në vitin 1960 kaluan në ekipin e parë një mori lojtarësh të rinj, Ramazan Rragami, Esat Rakiqi etj dhe na mbeti Vllaznia e Shkodrës mbi shpatullat tona të brishta. Ishim 17-18 vjeçarë dhe dolëm në Kategori në Dytë. Por, gradualisht kemi ardhur duke e ngritur Vllazninë në piedestal”, thotë Dani.
Mungon loja me kokë
Mjeshtri i njohur i futbollit shkodran, Selami Dani, i cili edhe pse e filloi futbollin si portier, gjatë karrierës së tij sportive më pas u pozicionua në rolin e tij të preferuar, të qendërsulmuesit. Një qendërsulmues tipik, që falë aftësive të tij në luftën në ajër, më shumë shënonte me kokë se sa me këmbë, duke spikatur si një nga golashënuesit më të mirë jo vetëm të Vllaznisë, por edhe të kampionatit shqiptar. Për Vllazninë e sotme, ai e ngre si shqetësim që i mungon loja në ajër, i mungon lojtari gol me kokë, që në kohën e tyre kanë qenë me shumicë. “Mendoj se me Selman Gruden ka mbaruar loja me kokë e Vllaznisë. Në kohën time kam qenë unë që kam luajtur me kokë, ka qenë Din Zhega shumë potent, ka qenë Esat Rakiqi që ka pasur goditje shumë të edukuar, Ismet Hoxha, etj. Sot unë nuk e kuptoj me këto kushte që kanë futbollistët tanë se si nuk arrijnë ta përvetësojnë këtë element shumë të rëndësishëm të lojës. Ne, në kohën tonë, një top kemi pasur aty dhe kemi arritur më të mirën në këtë aspekt, ndërsa tani duket se merakosen se po u bien flokët, apo po u prishen balluket duke i rënë topit me kokë. Loja me kokë është shumë e bukur, ne kemi bërë gola, kemi zgjidhë probleme për rezultatin. Jemi cilësuar si lojtarë që nuk dimë të bëjnë gol me këmbë, por vetëm me kokë”, shprehet ish-sulmuesi.