Sekretet e Mirabelit: CR7 do të ishte lojtar i Gatuzos, ju tregoj pengun e sulmit

Masimiliano Mirabeli është rikthyer të flasë për Milanin. Ish-drejtuesi i klubit të “Djallit” ka folur për “SportItalia”, duke treguar detaje interesante. Kristiano Ronaldo mund të ishte sot një lojtar i ekipit të Gatuzos, por kinezët e bllokuan marrëveshjen.

Mirabeli flet dhe për disa nga blerjet e tij, duke nisur nga Bonuçi, Andre Silva, Rodrigez, Çalhanoglu dhe i pafati Konti. Ai ndalet dhe te trajnerët: Montela dhe Gatuzo, si dhe zbulon pengun e tij dhe lojtarin që dëshironte të shihte në majën e sulmit kuqezi. Në fund një sqarim për çështjen Donaruma, Ibrahimoviç, Fabregas dhe Lukas Paketa.

CR7 – “Ishte një operacion që na erdhi në mendje gjatë bisedave me Horge Mendez. Kishim informacion se mund të kishte probleme me Realin. Diskutuam dhe për rrogën e Ronaldos dhe bëmë gjithçka, por pronarët kinezë bllokuan marrëveshjen, pasi nuk ishte e qëndrueshme. Me pronarët e sotëm, Kristiano Ronaldo do të ishte i Milanit.”

BONUÇI – “Nuk mendoj se blerja e tij ishte e dështuar. Ai ishte i bindur për të ardhur në Milano kur e kontaktuam, por nuk e di se çfarë ndodhi më pas, pasi u larguam. Situata ishte pak e veçantë. Leo nuk ndihej mire te Juventusi dhe ne shfrytëzuam rastin. Andre Silva? Ai do të sjellë një fitim të madhe në arkat e Milanit. Klubi kishte nevojë për lojtarë të rinj dhe ne punuam në këtë aspekt. Morëm lojtarë më perspektivë, të cilët kanë nevojë për kohë për të shfaqur cilësitë e tyre në një ambient të vështirë si Milani. Më vjen keq për Silvën që nuk qëndroi dhe jam i sigurt që do të ketë një të ardhme të ndritur.”

Kutrone, Andre Silva dhe Bonuçi

ÇALHANOGLU-RODRIGEZ – “I dyti nuk bie në sy, por është perfekt për skemat e Gatuzos. Nuk është një lojtar i bukur për t’u parë, por është thelbësor. Turku ka treguar 40% të potencialit të tij deri më tani dhe ka një talent shumë të madh.”

KONTI – “Ai është një djalë i mrekullueshëm dhe një futbollist i madh, edhe pse është dëmtuar. Në atë rol luajnë dhe Kalabria me Abaten, të cilët po bëjnë mirë, por Konti është unik dhe e interpreton në një tjetër mënyrë atë rol.”

TRAJNERËT – “Montela meritonte dhe një shans për të drejtuar Milanin. Tani është e thjeshtë të thuash se gabuam, por ai meritonte të qëndronte. Megjithatë, ndihem krenar që zgjodha Gatuzon si trajner. Rino dhe stafi i tij janë profesionistë, seriozë dhe e duan Milanin. Kinezët nuk ishin dakord, por iu shpjegova se Gatuzo është trajneri i së ardhmes. Edhe ai paguan faktin që ka punuar në Greqi, Serinë C dhe B, por për mua kjo është diçka pozitive.”

DONARUMA – “Nuk ekziston asnjë luftë, apo urrejtje me Mino Rajolën (menaxheri i portierit). Të dy palët u përpoqën për të mbrojtur interesat e tyre. Mino, me shumë mundësi, ishte mësuar të vepronte në një mënyrë ndryshe me paraardhësit e mi. Mos të harrojmë se Donaruma nuk kishte rinovuar ende kontratën përpara ardhjes time, pavarësisht raporteve të mira me klubin. Ishte një verë e nxehtë dhe impenjative, por në fund ia dolëm të rinovojmë me portierin, pa i dhënë Rajolës 30-40 milionë eurot e komisionit. Ndonjëherë pati nevojë dhe për ngritje tonesh…”

GODITJET E MUNGUARA – “Prej vitesh ka patur kontakte me Abumejang. Jemi takuar disa herë me të dhe ai ishte objektivi im kryesor për sulmin, edhe pse Dortmundi kërkonte shumë para. Ndërsa punoja për ta sjellë në Milano, më duhej të dëgjoja dhe kërkesat e trajnerit, i cili preferonte Kaliniç si pykë. Kemi bërë tratativa me katër sulmues, të cilët ishin: Benzema, Morata, Higuain dhe Imobile.”

IBRAHIMOVIÇ – “Të ngrohësh zemrat e tifozëve me një kampion të madh, i cili ka veshur bluzën e Milanit më parë është e gabuar. Ibrën na e ofruan dhe neve, por refuzuam. Milani ka nevojë për lojtarë, të cilët mund të hapin një cikël të ri dhe Ibra, pavarësisht se është një kampion i nivelit master, nuk bën pjesë në këtë kontekst. Ndryshon puna për Fabregas. Negociuam dhe ne për spanjollin, nuk e di nëse do e marrin, por është një lojtar i madh. Paketa? I talentuar, por nuk do të kisha investuar aq shumë për të.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online