Milan Shkriniar është një nga pikat më të forta të Interit. Sllovaku është një “mur” në mbrojtje, por edhe një tifoz i zjarrtë interist brenda tij. Pasi theksoi kohë më parë se ishte gati të ndryshonte emrin, që përkon me emrin e “armiqve” të qytetit, tani është kapur me Juventusin.
24-vjeçari po kalon pushimet në Dubai me disa miq të tij. Gjatë një momenti feste, Shkriniar ka nisur të këndojë duke ironizuar bardhezinjtë. “Sido që të shkojë Champions Ligën nuk do e fitoni kurrë”, ka qenë kori i mbrojtësit dhe miqve të tij.
Juventusi nuk triumfon në Europë që prej vitit 1996 dhe fitimi i Champions Ligës është kthyer në një fiksim. Deri në finale kanë dalë disa herë, por gjithmonë kanë dështuar për të rikthyer trofeun prestigjioz në Torino.