Fillimi i këtij sezoni për Çelsin dhe trajnerin e ri të klubit, Mauricio Sarrin ka qenë plotësisht i kënaqshëm. Në dhjetë ndeshje në të gjithë kompeticionet blutë e Londrës numërojnë plot tetë fitore dhe dy barazime, që janë marrë në dy javët e fundit në kampionat.
Përveç nisjes së mirë, lajm i mrekullueshëm për ambientin e bluve ka qenë dhe forma e shfaqur nga ekipi, sidomos e Eden Hazard. Belgu po shkëlqen nën drejtimin e Sarrit dhe është në një formë të shkëlqyer. Çelsi nesër do të ketë një transfertë jo fort të lehtë përballë Sauthempton, ku do të kërkojë me çdo kush të rikthehet te fitorja në Premier Ligë.
Përpara sfidës ka qenë trajneri italian i londinezve, i cili ka folur për mediat për sa i përket ndeshjes së nesërme, por dhe për formën që po kalon Hazard. Sarri ka deklaruar se ndihet i lumtur për gjendjen e ekipit dhe për sa i përket belgut, tekniku ka thënë se është shumë e lehtë për ta motivuar Edenin që të japë më të mirën.
“Është shumë e lehtë të komunikosh më një lojtar si ai, ndonjëherë nuk ka nevojë për strategji nga ana ime. Thjesht i them që duhet të kënaqet në fushë. Eden është një njeri që e dashuron futbollin dhe dëfrehet në fushën e lojës. Atij nuk i intereson se çfarë flasin mediat, bën detyrën e tij dhe kjo është kryesore për mua. Jam i lumtur për ekipin që kam”, përfundoi tekniku i Çelsit.