Mauricio Sarri ka treguar se kush komandon tek ekipi i Çelsit. Tifozët janë të dashuruar pas Kallum Hudson-Odoi dhe i kërkojnë italianit të aktivizojë më shumë. 18-vjeçari ka luajtur vetëm 413 minuta në kampionat, aty ku ka shënuar 4 gola dhe ka dhuruar dy asiste.
Sarri analizon idenë e tij, i premton lojtarit disa ndeshje në formacion dhe tregon mënyrën e duhur se si Hudson-Odoi mund të bëhet një prej lojtarëve më të mirë në Europë.
“Unë nuk jam trajneri i tifozëve. Tani do të na duhet të luajmë tetë ndeshje në 28 ditë dhe Hudson-Odoi do të luajë në një, dy apo tre prej këtyre ndeshjeve. Kam shumë besim tek ai dhe kompeticioni nuk përbën ndonjë ndryshim për mua. Është rastësi që nuk i ka nisur si titullar shumë ndeshje të kampionatit, pasi për mua është gati si lojtar.
Ne kemi Hazard, Uillian dhe Pedro, të cilët luajnë për dy pozicione. Hudson-Odoi mund të arrijë të luajë 75-80% të ndeshjeve në të ardhmen. Ai po punon mirë, por mund të bëjë edhe më mirë. Ka një potencial shumë të madh, shpresoj të rritet dhe mund të bëhet një prej futbollistëve më të mirë në Europë”, përfundon trajneri i “Bluve të Londrës”.