Napoli ka zbritur në fushë dhe ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri. Ekipi i Karlo Ançelotit dëshiron të luftojë me Juventusin për fitimin e titullit kampion dhe të shkojë sa më larg në Champions.
Emra si Hames Rodrigez, Mauro Ikardi dhe Hirving Lozano janë dëshirat e Napolit për të përforcuar ekipin. Trajneri sqaron situatën në merkato dhe jep mendimin e tij në lidhje me këto emra, por jo vetëm. Ançeloti ka një koment edhe për rikthimin e Sarrit dhe Kontes në Serie A.
IKARDI – “Mauro është një futbollist i madh dhe i vlerësuar nga të gjithë, jo vetëm nga unë. Fakti që lojtarë të tillë përfliten për Napolin është diçka pozitive. E vlerësojmë për lojtarin që është dhe asgjë më shumë.”
HAMES – “Hamesin e njoh shumë mirë. Ai është në gjendje të na dhurojë atë kualitet të nevojshëm për futbollin e bukur që duam të luajmë. Kaq për momentin. Ai nuk është një lojtar i joni dhe mund të mos bëhet kurrë i tillë. Po studiojmë edhe pista të tjera. Duam të blejmë një mesfushori modern. Zielinskit dhe Fabian Ruiz duam t’i shtojmë një të tretë.”
KONTE DHE SARRI – “Jam i lumtur për rikthimin e Kontes në Itali. Juventusi është skuadra për t’u mundur, por Interi dëshiron të jetë konkurrues dhe do ta bëjë më të paqëndrueshëm kampionatin. Ata duan të investojnë shumë. Sarri? Askush nuk e priste të shkonte te Juventusi. Mund t’i kuptoj tifozët e Napolit që ndihen keq, por ne jemi profesionistë.”