Sarri i sinqertë: Titulli nuk është më synim!

Trajneri i Çelsit Maurizio Sarri pretendon se skuadra e tij nuk ka ambicie për titull dhe tashmë ka si synim vetëm 4-shen e parë në Premier Ligë.

Eden Hazard shënoi 2 gola dhe Blutë fituan 2-1 në derbin kundër Uotfordit, në Vicarage Road.

Rezultati e mban Çelsin në vendin e katërt, por 11 pikë larg Liverpulit kryesues, një mal tepër i lartë për Sarrin, i cili pas ndeshjes deklaroi për BBC Sport: “Duhet të mundohemi të qëndrojmë në grupin e 4 skuadrave të kreut. Ky është synimi i vetëm këtë sezon, kualifikimi në Champions.

“Liverpuli po luan shumë mirë dhe nuk ka të ndalur në kampionat.

“Sot nuk luajtëm me shumë cilësi, por në fundin e ndeshjes humbëm raste të shumta për shënim. Gjithsesi, jam i kënaqur, sepse mendërisht u sollëm shumë mirë në fundin e ndeshjes, duke mos u tronditur as kur Uotfordi shkurtoi diferencën e golave”.

Hazard luajti sërish si sulmues kryesor dhe Sarri shpjegon zgjedhjen e tij: “Hazard mund të luajë në çdo rol. Sot ai luajti shumë mirë, me dy gola dhe mund të kishte pasur edhe 2-3 asiste në emrin e vet. Në këtë moment Hazard si sulmues na jep soliditet në mbrojtje dhe me këtë sistem shënojmë me lehtësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *