Sarri e nis me një anglishte të çalë: Më thërrisni Mauricio, jam mjeshtri i zbavitjes!

Empoli, Napoli dhe sot Mauricio Sarri e pa veten përpara gazetarëve anglezë, si trajner i Çelsit. Konferenca e parë për shtyp e teknikut italian në krye të londinezëve ishte e qetë, në javët e ardhshme do të ketë dhe përplasje sigurisht. Italiani foli anglisht në ballafaqimin e tij të parë me mediat, të paktën u mundua ta bënte diçka të tillë.

“Nëse do të isha një person që do të isha në merak gjithë kohën me shumë mundësi do të bëja një punë tjetër. Puna jonë ka shumë risk dhe merr shumë të mira mbrapa. Nuk kam frikë. Me gjithë respektin për të tjerët nuk kam fituar asgjë në Seria A, por askush nuk ka fituar gjë. Për 3 vite ne kishim rekorde me pikët. Mendoj se kemi punuar shumë mirë dhe diferenca mes punës së mirë dhe të fituarit është minimale”, – shprehet fillimisht trajneri italian.

Sarri foli edhe për belgun Eden Hazard, i cili përflitet për një largim nga skuadra e Çelsit. “Hazardi është një lojtar i një niveli të lartë. Mendoj se është ndër 2-3 lojtarët më të mirë europianë. Do të doja të punoja me të dhe shpresoj ta përmirësoj. Kjo është e vështirë, pasi është në një nivel shumë të lartë. Nuk dua të flas për lojtarët që nuk janë kthyer nga Botërori. Unë nuk dua t’i largoj, por do të flas me ta duke i parë në sy”, – tregon Sarri.

Nuk mund të mungonte krahasimi mes Guardiolës dhe Murinjos. Sarri mendon se stili i tij i ngjan atij të spanjollit, por nuk harron të vlerësojë dhe portugezin. “Ai ka fituar gjithçka dhe fjalët janë të tepërta. Kush ka rekordet e tij nuk ka nevojë për një përshkrim, por stili im është i ngjashëm me të Guardiolës. Ai është i jashtëzakonshëm, një gjeni. Në vitin e parë vuajti pak, por të fitosh 100 pikë në Premier League është diçka e madhe”, – shprehet Sarri. I ngacmuar për epitetin që mund t’i vendosin, ai u shpreh: “Dua që çdokush këtu të më thërrasë Mauricio, vetëm Mauricio”.

Kur pyetet për trofetë dhe lojën e tij ai ka ide të qarta. “Nuk më intereson se duhen fituar trofe për të mbajtur vendin e punës. Dua që të zhvillojmë një lojë argëtuese për fansat tanë. Nëse lojtarët kënaqen dhe tifozët kënaqen do të kemi rezultate”, – u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *