Mauricio Sarri është përshtatur në mënyrë perfekte në futbollin anglez dhe trajneri i Çelsit po i befason dhe argëton të gjithë tifozët e Çelsit, por jo vetëm, me futbollin e tij. 59-vjeçari italian ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”, ku tregon favoritët e fitimit të Champions-it, sipas mendimit të tij, dhe tregon futbollistin më të mirë italian, i cili është Lorenco Insinje.
E ka stërvitur për tre sezone te Napoli dhe e njeh shumë mirë. Sivjet ka shpërthyer dhe po kthehet në liderin e ekipit me lojën dhe golat e shënuar.
SERIE A – “Juventus nuk ka rivalë për titullin. Kur e thoja më parë mendonin se doja të sillja ujë në anën time. Bardhezinjtë janë arratisur. Ky është viti ku mund të triumfojnë dhe në Champions. Janë mes dy favoritëve kryesorë.”
KANDIDATËT PËR CHAMPIONS – “Për mendimin tim janë Juventus dhe Mançester Siti. Gjithmonë kam menduar se skuadra e Guardiolës është pjekur për ngjitjen e fundit në nivelin europian. Për mua do të jetë një garë dyshe midis këtyre dy skuadrave. Pastaj duhet të shohim se si do të jenë skuadrat spanjolle në mars. Sot kjo është situata, por era e Champions-it ndryshon shpejt.”
FUSHAT E STËRVITJES – “Cobham është një oaz prej 36 fushash. Një javë stërvitemi te njëra, javën tjetër te një fushë tjetër. I ndryshoj fushat për çështje të terrenit dhe përshtatjen me lëvizje të ndryshme. Për momentin jam i përqendruar te mbrojtja. Këta janë situata që më pëlqejnë më shumë.”
INSINJE – “Lorenco është futbollisti më i mirë italian. Ai beson shumë te vetja, sot edhe më shumë, gjithmonë e më shumë. I është shmangur pasigurive të atij që do të jetë lideri i skuadrës së qytetit të tij. Ishte thjesht një çështje kohe. Nëse qëndron më afër qendërsulmuesit e godet më mirë portën, sepse ka klas dhe goditje. Por ai mund të bëjë gjithçka. E mendoja trekuartist, më pas e spostova si një anësor ofensiv. Taktika dhe teknika janë buka, unë jam gjithmonë këtu për t’i mësuar lojtarët, por janë vetë ata që duhet të japin diçka nga vetja. Pasi i fundit është ADN-ja, që zgjohet dhe të ulëret ‘jepi, shkatërroje botën’. Kjo është sinteza e Insinjes. Tani i duhet të mos e heqë më prizën.”