Italia do të presë mbrëmjen e nesërme Portugalinë në “San Siro”, në një sfidë që do të vendosë për vendin e parë të grupit 3. Në rast të një barazimi luzitanët do të siguronin vendin e parë, gjithsesi numri një i pankinës së tyre, këmbëngul se ekipi i tij nuk ka ardhur të luajë për barazimin.
SITUATA NË GRUP – “Vëmendja jonë është e gjitha te Italia, nuk po mendojmë për ndeshjen tjetër ndaj Polonisë. Çdo gjë që kemi bërë është fokusuar në sfidën ndaj Italisë. Në këto dy muaj kanë ndryshuar shumë stilin e tyre të lojës dhe janë një skuadër tjetër nga ajo që ishte në Lisbonë”.
PËRGATITJA E NDESHJES – “Po mendojmë për atë që duhet të bëjmë, gjithsesi kemi shumë respekt për të gjithë, sidomos për Italinë, që është një nga kombëtaren më me shumë histori. Është një sfidë e nivelit të lartë, por i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë mirë dhe të fitojmë”.
SFIDA – “Nuk kemi ardhur këtu për të luajtur në kundërsulm. Ata e mbajnë shumë topin dhe janë shumë të organizuar dhe ne do të përpiqemi që të sulmojmë më shumë. Gjithashtu duam ta mbajmë topin shumë dhe të mundohemi të ç’organizojmë kundërshtarin. Duam të eleminojmë hapësirat dhe t’i krijojmë probleme Italisë”.
OBJEKTIVI – “Ne luajmë një futboll shumë të ngjashëm. Italia ka kualitet dhe është një ekip i fortë, por ne futemi në fushë gjithmonë për të fituar, kundër çdo ekipi dhe këtë gjë do të bëjmë dhe nesër. E dimë se çfarë duhet të bëjmë”.
KRISTIANO RONALDO – “Nuk ka ekip që mund të thotë që Kristiano Ronaldo nuk duhet. Ai është lojtari më i mirë në Botë. Ajo që ka rëndësi është që ta tregojë përsëri këtë gjë dhe të fitojë “Topin e Artë”. Do të shohim në rast se do të rikthehet në mars. Për momentin ne do të fokusohemi në të tashmen dhe duam të fitojmë”.