Xhejdon Sanço është adoleshenti më i mirë në botë. Lojtari i Borusia Dortmund arriti të marrë çmimin si lojtari i ri më i mirë, ku mundi emra si Vinicius e Hudson-Odoi i Çelsit. Ky çmim jepet nga Goal.com dhe pjesë e garës janë vetëm lojtarët e lindur pas 1 janarit të vitit 2000. Fituesit e mëparshëm janë Xhastin Klajvert në vitin 2018 dhe Donaruma në vitin 2017.
Sanço ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm në Gjermani. Ai ka bërë paraqitje spektakolare, ku ka regjistruar 8 gola dhe 12 asiste. Një lojtar i kompletuar në të gjitha aspektet. Vendi i dytë shkon për Vinisjus Zhunior, i cili erdhi këtë vit te Reali i Madridit. Braziliani ka zhvilluar një sezon shumë të mirë. Ka spikatur me shpejtësinë dhe aftësitë dribluese. Mbetet për t’u rritur tek finalizimi, pasi nuk ka qartësinë e duhur para porte.
Hudson-Odoi renditet i treti. “Xhevahiri” i Çelsit ka një talent “bio”. Ndryshe nga dy lojtarët më lart, ai nuk ka minutat e tyre në këmbë. Megjithatë, sa herë është futur në fushë e ka treguar veten. Minutat më të shumta i ka gjetur në Europa Ligë, ku ka shwnuar 4 gola me një mesatare 1 gol për ndeshje.
Mesfushori i Mançester Siti, Fill Foden mbyll katërshen e parë. Anglezi ka shprehur shumë qëndrueshmëri dhe Guardiola nuk ngurron aspak t’i lërë vend titullari edhe në ndeshje delikate. Ajo çka vihet re është se tre nga katër më të mirët janë shpallur kampionë Bote me Anglinë në botërorin e U-17 në vitin 2017.
Një tjetër brazilian është në vendin e pestë. Rodrigo, i cili ka spikatur në Brazil dhe pritet t’i bashkohet Realit të Madridit në verë. Alfonso Dejvis, për të cilin Bajerni “doli” nga vetja duke paguar plot 17 milionë sterlina për ta marrë, renditet i gjashti.
Lojtari i shtatë më i mirë luan me Breshian. Sandro Tonali cilësohet si pasardhësi i Andrea Pirlos. Pritet një garë e ashpër për të nga klubet gjigante të Europës. Diego Lainez ka zënë vendin e tetë. Në Meksikë e kanë si “Mesin” e tyre. Luan në La Liga për Betis, që e mori nga Argjentina për 14 milionë euro.
Edhe Juventusi e ka një yll në dhjetëshen e parë. Moise Ken është i nënti. Talent i padiskutueshëm, kujtojmë dy golat e shënuar ndaj Udinezes në Serie A. Dhjetëshja mbyllet me mesfushorin e Çelsit, Ampadu. Luan në të gjitha rolet e mesfushës, çka do të thotë se është një lojtar i gjithanshëm.