Zëvendëskryeministri italian Mateo Salvini njihet si një tifoz i thekur i skuadrës së Milanit. Edhe pse ka një post të rëndësishëm ai nuk heziton të shprehë mendimet e tij rreth skuadrës sikur të ishte një tifoz i zakonshëm. Së fundmi politikani ka folur për largimin e Gonzalo Higuain nga “djalli”.
“Jam i lumtur që Higuain u largua. Nuk i pëlqej mercenarët, kudo që të jenë ata, si në politikë ose edhe në futboll. Angazhimi për të nderuar fanellën është diçka thelbësore. Ai u largua, ndërsa ne fituam, kështu që mund të largohet ku të dojë”, tha Salvini.
Duhet përmendur se në të shkuarën deklarata e Salvinit kanë turbulluar ambientin në skuadrën e Milanit. Disa muaj më parë pas barazimit 1-1 ndaj Lacios, politikani lëshoi një seri ofendimesh drejt trajnerit Xhenato Gatuzo. Tekniku kalabrez iu kundërpërgjigj, duke i kujtuar atij se Italia ka boll probleme që ai të merret me futboll.