Hamdi Salihi, makineri goli që nuk tradhton kurrë, mjafton të zbresë në fushë. Sulmuesi shkodran ka bërë sërish heroin për Viner Nojshtatin, sepse sot shënoi golin vendimtar në fitoren 1-0 ndaj Floridsdorfer AC.
Një ndeshje e lehtë në letër, por shumë e ndërlikuar në realitet, sepse derbi i vogël vjenez nuk pati gola deri në fund, edhe pse Nojshtati dominoi në lojë e raste.
Floridsdorfer AC lufton për mbijetesë dhe një pikë i mjaftonte, por në minutën e 96-të, kur dukej se kishte marrë fund, Salihi gjeti golin që bëri të shpërthente në festë skuadra e tij. Gjuajtje perfekte nga goditja e dënimit, topi në trekëndësh.
Një fitore jetike, sepse Nojshtati mbetet i katërt, tashmë vetëm 4 pikë larg vendit të dytë dhe 3 pikë nga vendi i tretë, që është objektivi minimal (dy vendet e para shkojnë në Bundesligë, i treti në play-off).
Kalendari duket i favorshëm për Salihin me shokë, por duhet të fitojnë 4 ndeshjet e mbetura dhe të shpresojnë që Riedi oseHartbergu të lëshojnë pikë, ashtu si Hartbergu, që u mund sot nga Liferingu.
Sa për sulmuesin shqiptar, ishte goli i 20-të në kampionat, një më pak se Çabi i Riedit, që kryeson listën e golashënuesve në divizionin e dytë austriak.