Sa shumë dëshpërim, në Korçë prisnin goleadë!

Drejtuesit, tifozët, por edhe vetë futbollistët e mendonin më të lehtë ndeshjen e parë me San Julian…

Skënderbeu ishte e vetmja skuadër e Superiores që arriti të fitojë dje në Europa League. Por fitorja 1-0 nuk ishte ajo që të gjithë prisnin në juglindje, ku drejtuesit, stafi teknik dhe tifozët prisnin goleadën e Skënderbeut. Një gjë e tillë nuk ndodhi, për shkak se futbollistët korçarë e kishin marrë shumë lehtë këtë ndeshje të parë. Duke dëgjuar se skuadra nga Andorra ishte një skuadër amatore, me lojtarë që bënin punë të ndryshme dhe që drejtoheshin nga një taksist, te Skënderbeu menduan se do ta kishin shumë të lehtë dhe që para fillimit të takimit u duk qartë se lojtarët bardhekuq u futën në fushë, duke menduar sa gola do të shënonte njëri dhe sa gola tjetri. Kjo bëri që minutat të iknin njëra pas tjetrës dhe Skënderbeu e mbylli pjesën e parë pa gola. Sa më shumë kalonin minutat, aq më shumë paqartësi dhe nxitim kishte në radhët e futbollistëve të trajnerit Ilir Daja. Latifi i habiti të gjithë, kur humbi atë 11-metërsh, ndërkohë që 21 minuta para fundit ishte po ai që shënoi, por sigurisht nuk u gëzua shumë. Skënderbeu në 70 minuta lojë kishte parashikuar të kishte shënuar 3-4 gola, por në fund 1-0, shumë pak. Mendohet që Skënderbeu nuk do ta ketë të vështirë të kalojë më tej, edhe pse do të luajë në Andorrë, ndërkohë që presidenti Ardjan Takaj dje është dukur shumë i mërzitur, sepse nuk pa atë skuadër që kishte menduar.

DEBUTUESIT – Me Skënderbeun debutoi si titullar Vujoviç, lojtar që nuk është se bindi, kurse në pjesën e dytë debutuan edhe Taku dhe Shkodra. Ata, por në fakt e gjithë skuadra korçare, dje ishte hija e vetvetes. Korçarët nuk dolën në asnjë moment në lojën e tyre dhe ndoshta kjo bëri që edhe debutuesit të mos linin shenjë me fanellën e Skënderbeut. Duhet reagim, sepse në turin e dytë nuk do të jetë San Julia, por K.Almati, që dje shpartalloi lituanezët e Atlantas me 6 gola. Me lojën e djeshme korçarët do ta kenë shumë të vështirë. Ky Skënderbe duhet të zgjohet, pasi Europa ka filluar dhe nuk do të ketë më “nxemje”.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *