Karl Hainc Rumenige ka dalë sot para mediave dhe normalisht që ngacmimet kanë qenë të shumta. Tifozët bavarezë presin që në ekip të mbërrijë një lojtar i kalibrit botëror dhe drejtori ekzekutiv i klubit gjerman bën thirrje për durim, pasi askush deri më tani nuk e ka bërë atë transferimin e madh.
“Sot është data 8 korrik. Unë e di që durimi nuk është virtyti më i madh i tifozëve apo i publikut. Tregu i transferimeve është i hapur dhe ne jemi gati të sjellim një ‘top player’, siç quhet. Deri tani nuk ka pasur një transferim të madh që të ketë efekt domino. Jemi të durueshëm, ka edhe dy muaj kohë. E kuptoj që njerëzit presin lëvizje të mëdha, por nuk jam aspak nervoz”, u shpreh Rumenige.
Më tej ai shtoi se e kanë ekipin, si dhe foli për Leroi Sane. “Do të kemi një ekip që do të jetë kompetitiv. Nuk do të kemi objektiva më të ulëta se herët e tjera. Mos mendoni se nuk e kemi ekipin për të fituar titullin e tetë dhe që nuk bën dot gjëra të mëdha në kompeticionet e tjera. Sane? Ai donte të kalonte pushimet, tashmë e ka bërë dhe po presim të shohim nëse diçka do të lëvizë”.
HUMELS – Rumenige nuk është dakord me komentet që bëhen në shtyp dhe e konsiderojnë Humels qendërmbrojtësin më të mirë gjerman: “Kam lexuar që qendërmbrojtësi më i mirë gjerman nuk luan më te Bajerni. Nuk mendoj kështu. Qendërmbrojtës më i mirë gjerman luan me Bajernin, dhe meqë ra fjala, edhe me kombëtaren (i referohet Niklas Sule)”.
NOJER – Thomas Kroth, agjenti i Manuel Nojer, ka paralajmëruar largimin e klientit të tij nga ekipi nëse bavarezët nuk bëjnë afrimet e duhura. “Kam pasur një bisedë telefonike me Manuel. Thomas Kroth nuk është mikrofoni i Nojer. Ai ka thënë thjesht një opinion personal. Në fakt m’u duk i çuditshëm, sepse kemi marrëdhënie të mirë, serioze. Gjithsesi Bajerni është një klub demokrat, lejon edhe qëndrime kritike”, deklaroi Rumenige.