Rrëfimi unik i Zamoranos, shpikja 1+8 dhe pasioni për Interin

Ivan Zamorano është një emër shumë i njohur dhe i dashur për ato që kanë lindur rreth viteve ’90 dhe më para. Kiliani luajti në Europë me klube si Real Madrid dhe Interi, ndërsa formonte një dyshe fantastike te kombëtarja e tij me Marselo Salas.

Në Spanjë u shpall golashënues dhe fitoi titullin, ndërsa me zikaltrit fitoi Kupën e UEFAS, aty ku hapi serinë e golave në fitoren 3-0 kundër Lacios në finale. I fortë fizikisht, i ashpër në duele dhe me një grintë unike.

Zamorano ishte një sulmues dhe lojtar me karakteristika që sot janë në “zhdukje”. Ish-bomberi potent latin është rikthyer në Itali dhe ka dhënë një rrëfim tepër interesant për gazetarin Gianluca Di Marzio.

INTERI – “Kur shoh Interin duke luajtur ndjej një emocion shumë të fortë, është diçka speciale brenda meje. Kam dhënë gjithmonë gjithçka për ngjyrat zikaltër, kam luftuar për fitore dhe jam zbavitur në fushë. Përtej dashurisë time për Interin, mendoj se kam lënë diçka në të gjithë futbollin italian.

Kur takoj në rrugë tifozë të Milanin, Juves apo Fiorentinës, të gjithë tregohen të dashur me mua dhe më respektojnë. Ndihem krenar, pasi do të thotë që kam arritur t’iu përcjell të gjithëve mënyrën time e të jetuarit të këtij sporti.”

KRAHASIMI – “Në aspektin karakterial e shoh veten te njerëzit e mi si Medel dhe Vidal. Unë e ndjeja futbollin në një mënyrë tjetër: çdo top ishte jetë ose vdekje. Realisht jemi të gjithë të ndryshëm. Pika ime më e fortë ka qenë grinta. Sot nuk arrij të gjej një lojtar si vetja. Dikush më ngjason në vrapim, një tjetër në mënyrën e goditjes së topit, ndërsa Ronaldo në goditjet me kokë.”

SEKRETI – “Erdha te Bolonja në vitin 1988, por më thanë që isha i ri dhe duhej të krijoja eksperiencë. Shkova te St Galen, shënova shumë gola dhe kalova super në Zvicër. Një vit më vonë u fiksova dhe nuk doja të rikthehesha në Itali. Vendosa të qëndroj edhe një vit te St Galen, më pas Sevija, Real Madrid dhe Inter. Le të themi që te zikaltrit arrita një lloj hakmarrje.”

RONALDO – “Ronaldo fenomeni është shoku më i fortë me të cilin ka luajtur. Kur theu gjurin në Olimpico kundër Lacios, askush nuk besonte më që do të rikthehej në nivelet e tij. Ai nisi një cikël stërvitjesh të panumërta dhe ia doli. Të marrësh veten pas atij lloj dëmtimi, më besoni, ka të bëjë vetëm me fenomen të vërtetë.”

SHPIKJA (1+8) – “Roni po kalonte një periudhë të veçantë pas Botërorit 1998. Të gjithë bashkë, drejtues dhe shokë skuadre, e kuptuam që kishte ardhur momenti për të ta bërë Ronaldon që të ndjente besimin tone dhe t’i tregonim se sa special ishte për ne.

Duhej diçka që ta simulonte dhe unë e dija që i pëlqente të mbante numrin 9 në fanellë. Vendosa t’ia jap atij atë numër dhe Sandro Macola më tha: ‘Ivan, mund të zgjedhësh një shumëfishim të këtij numri, 18, 27…’

Ato fjalë më bënë përshtypje dhe u nisa drejt Moratit. I kërkova presidentit nëse mund të vendosja shenjën + midis dy numrave në fanellë. Sapo mora lejen, ia besova këtë detyrë dy magazinierëve, Paolos dhe Klaudios. Pas pak ditësh bluza ime u bë më e kërkuara në dyqane. Edhe Nike filloi të prodhonte uniforma me shenjën + të stamposur.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online