Leonard Trebicka
Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”, duke rrëfyer gjithçka mbi kampionatin e fundit, ku pengu i vetëm janë trofetë e munguar. Ai i gëzohet faktit që deri në fund korçarët luajtën me ndershmëri, ndërkohë që zbulon edhe planet e klubit për sezonin e ardhshëm. Nuk mungon një koment për afrimin e Donjet Shkodrës, si dhe për lojtarët e tjerë që nuk binden dhe do largohen. Gjithçka në këtë intervistë të trajnerit të korçarëve…
Profesor, pasi kanë kaluar disa ditë nga mbyllja e sezonit pa asnjë trofe, keni reflektuar?
Pa asnjë trofe natyrshëm që mund të quhet një sezon jo i suksesshëm, por dua të them se e mbyllëm me kokën lart, sepse treguam se ç’dinim të bënim. Nuk ishim pjesë e aleancave dhe kjo është më shumë se e suksesshme. Luftuam ndershëm deri në vërshëllimën e fundit dhe për këtë ndihem vërtet mirë. I vetmi dëshpërim është fakti që nuk morëm të paktën një trofe.
Skënderbeut i iku nga duart jo vetëm kampionati, por edhe Kupa, ndaj Tiranës. Mund të quhet një sezon i dështuar?
Për sa i përket mosmarrjes së trofeve, sigurisht që objektivi nuk u arrit, por në kampionat e dimë shumë mirë se çfarë ndodhi. Kjo reflektoi edhe te Kupa e Shqipërisë në finale, teksa nuk mundëm ta merrnim edhe këtë trofe të dytë për nga rëndësia.
Kur erdhët në 3 janar te bardhekuqtë, deklaruat që sukses do të cilësohet vetëm nëse fitonit titullin kampion. Çfarë nuk shkoi te ky Skënderbe?
E pranoj që e kam thënë këtë që ju përmendët, por çdo trajner që do të ishte në krye të Skënderbeut do ta thoshte diçka të tillë. Në momentin që erdha në janar, Skënderbeu e mbani mend shumë mirë që kishte 12 javë resht që kishte grumbulluar vetëm 14 pikë. Kjo bëri që unë të mos gjeja Skënderbeun e viteve të kaluara. Nga puna që bëmë të gjithë dhe nga ajo që u pa në fazën e katërt, nuk pësuam asnjë humbje, përveç asaj që ndodhi në Kukës në ndeshjen e parafundit dhe që e panë të gjithë. Nëse quhet sezon i dështuar, atëherë le ta analizojnë të tjerët, por Skënderbeu dominoi në të gjitha drejtimet dhe këtë e them me bindjen e plotë.
Daja trajner me Elbasanin, Dinamon, Besën, Tiranën dhe Skënderbeun. Kë do të veçonit dhe përse?
Shikoni, në momentin që jam te Skënderbeu, të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe të tjera janë të fokusuara vetëm te Skënderbeu. Do ndihesha ndryshe, nëse nuk do të isha i impenjuar, por kam qenë absolutisht i impenjuar te çdo ekip ku kam qenë. E them me bindje se jam ndjerë i respektuar te të gjitha këto ekipe ku unë kam qenë gjatë karrierës sime. Sa për Skënderbeun, mund të them që gjeta një ekip shumë më lart se ekipet e tjera që kam qenë në stol. Kjo financiarisht, në mënyrën organizative dhe në shumë aspekte të tjera. Aq më tepër që ka pasur objektiv vetëm titullin kampion.
Në merkaton dimërore erdhën lojtarë që nuk bënë diferencën nga të tjerët. Çdo do të thotë kjo?
Merkatoja e janarit në fakt ka shumë pak hapësira, aq më tepër që të gjithë lojtarët cilësorë janë nën kontratë me klubet e tjera. Me këtë dua të them, që nëse një skuadër do të organizohet për të qenë një ekip cilësor deri në fund, duhet ta fillojë punën që në verë dhe të mos presë merkaton dimërore. Në janar mund të bësh vetëm ndonjë ndërhyrje për të rregulluar diçka, pasi nuk bën dot më shumë se kaq. Kjo ndodhi edhe me Skënderbeun, që në janar nuk kishte hapësira për të ndërhyrë, pasi mungonin lojtarët cilësorë në treg.
Keni biseduar pas përfundimit të sezonit me presidentin Takaj dhe nëse po, për çfarë?
Patjetër që kam biseduar. Kemi qenë dje bashkë dhe kemi bërë planet për të ardhmen, planet për Skënderbeun e ri. Pavarësisht se së pari do të marrim pjesë në Europë, jemi duke menduar edhe për kampionatin e ardhshëm.
I kujt është faji për këtë dështim? A keni bërë një analizë në mendjen tuaj?
Në fakt, gjithmonë faji mbetet jetim. Por, unë di të them që Skënderbeu i dy fazave të fundit grumbulloi shumë pikë dhe ishte shumë më shumë bindës. Më mirë fajin le ta gjejnë të tjerët, sepse nëse do të gjeja ndonjë faj nga vetja, do ta merrja dhe këtë e them me bindje. Së fundi, dua ta mbyll për këtë që më pyetët, se stafi im ka faj më pak nga gjithë të tjerët që mund të kenë qenë fajtorë.
Presidenti ka deklaruar se të mërkurën e ardhshme do të bëjë një mbledhje me ekipin. Do të jetë ky takimi që “bosi” t’u kërkojë llogari të tijve?
Është krejt e natyrshme që Takaj ta bëjë një gjë të tillë. Po t’u referohemi 10 ditëve të fundit, ne po ecnim mirë dhe papritur u prish gjithë sezoni. Nëse fajet i delegohen presidentit, siç ndodhi me portalet e ndryshme dhe komentet, ai ka shumë të drejtë që të kërkojë llogari dhe sidomos lojtarëve, pasi te Skënderbeu asgjë nuk ka munguar dhe mosmarrja e trofeve ishte diçka që nuk duhet të ndodhte.
Për të folur për merkaton. Takaj konfirmon Donjet Shkodrën si afrimin e parë. Si ju duket kjo goditje?
Natyrshëm që në afrimet që bëhen kam dhënë edhe unë mendimin tim. Për mua Donjet Shkodra ka potencialin e duhur për të qenë te Skënderbeu, por duhet të përmirësohet fizikisht, ndërkohë që nuk duhet harruar se ai ka qenë ndër më të dalluarit te Flamurtari. Aq më tepër që ky lojtar shkon drejt golit vazhdimisht gjatë lojës dhe është pikërisht ai që na duhej.
Përfliten Alvesh, Bregu, Taku, Hasani, pa thënë dhe ndonjë emër tjetër…
Është periudhë merkatoje dhe përfliten shumë emra, aq më tepër që ne jemi të fokusuar te merkatoja në kampionatin shqiptar. Këta emra që ju përmendët, nëse do të jenë pjesë e ekipit në fund, do të na ndihmojnë për të arritur objektivat madhorë. Sigurisht që tani unë nuk mund të ndalem tek emra të përveçëm, pasi jemi në merkato dhe flitet shumë dhe punohet shumë, prandaj le t’ia lemë kohës.
Sipas jush, ku do të duhet të përforcohet Skënderbeu i Europës?
E para, të gjithë ata lojtarë që kanë mbajtur peshën kryesore në ekip do të jenë edhe baza e Skënderbeut të ri, ku unë do të mbështetem. Në repartet që ne kemi pasur probleme do të bëjmë edhe ndërhyrje, sidomos në vijën e parë të sulmit. Kjo, pasi Salihi është dënuar më 10 javë dhe më pas është larguar. Latifi ka oferta të shumta dhe kjo na bëri që të mendojmë menjëherë për sulmin. Këto prurje që do të vijnë te Skënderbeu, sigurisht që do të jenë lojtarë cilësorë dhe që do t’i shërbejnë ekipit..
Sigurisht që do të ketë edhe largime. Kush janë ata që do largohen?
Në këtë moment po mendojmë se kush do të afrohet. Më prapa, flasim edhe për largimet. Na duhen edhe tre javë që të startojnë eliminatoret dhe nëse ne largojmë lojtarë dhe nuk afrojmë, atëherë do të dështojmë. Me këtë dua të them se së pari flasim për afrimet, pastaj të tjerat i kemi në dorë.
Ogunxhimi, apo Predesku e ndonjë tjetër, a janë të nevojshëm për Skënderbeun tuaj?
Besoj që këta dy lojtarë që ju përmendët e kanë mbyllur me Skënderbeun. Po të ishin të nevojshëm do të gjenin më shumë hapësirë që nga janari dhe deri më sot. Edhe në Kupë ju kujtoj që ne patëm shumë mungesa dhe lojtarët e lartpërmendur nuk u aktivizuan aspak, pasi nuk ishin të nevojshëm. Përveç këtyre, janë edhe emra të tjerë të cilët kur kanë pasur hapësira nuk kanë mundur të bëjnë asnjë gjë. Këta sigurisht që do të largohen.
Salihi i ka thënë lamtumirë Shqipërisë. Ju prish punë? Po për Latifin që pritet të shitet, cila është situata e tij?
I pari është golashënuesi më i mirë Skënderbeut dhe është e vështirë të zëvendësohet, por vendimin e largimit e mori vetë. Latifi nuk ka lidhje me fjalën largim, pasi klubit do t’i sjellë shumë përfitime dhe sigurisht që do të shitet në një klub me emër në Europë, pasi edhe për atë ka ardhur momenti i duhur që ta bëjë realitet një gjë të tillë.
Shumë zhurmë për Etikën kohët e fundit. Mos ndoshta kjo ndikoi edhe në rezultatet e Skënderbeut?
Ndikuan shumë gjëra, por edhe kjo që ju thatë. Besoj se nuk jam njeriu i duhur për t’iu përgjigjur për këtë pyetje, sepse nuk kam qenë në kohën kur diskutohet për atë Skënderbe të viteve më parë. Por, mendoj se përderisa ne kemi marrë vendim administrativ, nuk është momenti i duhur që të mendojmë se do të ketë një tjetër dënim. Është një çështje e mbyllur dhe duhet ta presim me qetësi edhe vendimin e Etikës.
Realisht, a prisni ndonjë vendim të paparashikuar në datën 9 qershor nga Etika?
Unë e theksova edhe më lart, që duhet ta presim me shumë qetësi, sepse vendimi që do të merret, besoj shumë që nuk do të jetë në dëm të Skënderbeut dhe të futbollit shqiptar.
Sa lojtarë do të donte Daja të afronte tani përpara Europa League, për të qenë gati për një tjetër aventurë të suksesshme në Europë?
Nëse do të flisnim për numra, do të bënim gabim. Lojtarët që do të afrohen dëshirojmë që t’i shërbejnë ekipit, qoftë për paraqitjen në Europë, qoftë edhe për sezonin e ardhshme. Kjo është ajo që dua të theksoj në këtë pyetje që më drejtuat.
Edhe një vit tjetër te Skënderbeu. Do ta bëni me dëshirën më të madhe…
Absolutisht që po. Jam në një klub që më ka dhënë mundësi vërtet të mëdha. Me pak fjalë, brenda Shqipërisë jam në vendin e duhur. Ky klub ka dy fusha me bar natyral, si asnjë skuadër tjetër, ka një anë financiare të qëndrueshme, plus ka edhe 6 tituj kampionë, por ka edhe lojtarë cilësorë. Për një trajner, është ekipi i duhur.
Çfarë do të veçonte Daja nga Skënderbeu këtë sezon?
Do të veçoja dy gjëra. Kjo skuadër ka elementë me cilësi individuale dhe më kryesorja te Skënderbeu: të gjithë kanë shpirtin në fushë dhe sigurisht që edhe kjo është shumë e rëndësishme.
Cilët kanë qenë lojtarët që dështuan?
Brenda një suksesi të gjithë janë pjesëmarrës. Unë personalisht nuk do ta quaja dështim, pasi përveç trofeve që nuk fituam, ky Skënderbe dominoi në të gjitha drejtimet. Edhe tifozët kanë qenë të shkëlqyer. Çdo gjë ka qenë në perfeksion.
E kujtoni Enea Jorgjin për atë që ju bëri në Kukës, apo e keni harruar, pasi edhe ju në atë ndeshje shpërthyet si kurrë më parë?
Gjithmonë flitet për një ndeshje që ishte e barabartë me një sezon të tërë. Nuk kam si ta harroj Enea Jorgjin për atë që bëri. Duhet të gjejmë forca herët e tjera, për të mos e lënë titullin në sekondat e fundit, pasi ndoshta në të ardhmen mund të na dalë ndonjë “Enea” i ri dhe na bën të njëjtën gjë që na bëri edhe në Kukës.
Daja, faza përgatitore do zhvillohet në Slloveni. Miqësore me Videotonin dhe ekipe të tjera. Si ju duket?
Duke bërë një krahasim me muajin janar, kur erdha te Skënderbeu, asokohe ekipi kishte 15 ditë pushim, ndërkohë që këtë herë vetëm 5 ditë pushim dhe ekipi do të ruajë gjendjen fizike. Nuk do të na mbetet gjë tjetër, vetëm që ta përmirësojmë dhe ta ruajmë deri në startin e ndeshjeve në Europa League.
Sa larg shkon ky Skënderbe sipas jush në Europë?
Mundësitë janë që skuadra të shkojë larg. Por, mos harroni që në këtë pjesë hyn edhe shorti, pasi të favorizon ose të penalizon. Ky Skënderbe vërtet mund të shkojë larg, por duhet të përqendrohemi te stërvitjet dhe te ndërhyrjet që do të bëjmë në këtë merkato verore.
Ka pasur një deklaratë të Starovës ndaj jush, duke ju thënë që të mos flisni. Cili është komenti?
Nuk besoj që duhet të merrem me këtë, pasi nuk dua që të bëj gabimin e Starovës. Jo Starova, por sikur të gjithë trajnerët e Superiores të mblidhen, ta dinë që Ilir Daja nuk e mbyll gojën. Gjithsesi, nuk flas për gjëra që nuk janë të rëndësishme dhe mendoj se Starova ka pasur doza emocionale, sepse unë nuk kisha dhe nuk kam analizuar ndonjëherë ndonjë skuadër. Më mirë ai të fokusohet te Partizani i tij. Kaq dua të them.
Sa miq dhe sa armiq ka Daja në kampionatin shqiptar dhe cilët janë?
Besoj që nuk kam armiq, përveç 90 minutave në fushë, sigurisht edhe kjo në thonjëza. Logjikisht futbolli subjektiv nuk ka pse bën armiq, përderisa në fund të fundit është vetëm një garë.
Te Skënderbeu u tha që do të ketë revolucion. Çfarë quan revolucion Daja?
Skënderbeu ka objektiva maksimale. Nëse do të kishte revolucion, do të thoshte që frytet më t’i marrim pas 35 vitesh. Nuk mund të presim për këtë fjalë që edhe ju përmendët. Do të ruajmë grupin dhe do të bëjmë ndërhyrje, kaq mund të them.
Në janar nuk mundët ta ndërtonit vetë skuadrën, pasi ua kishte lënë Agostineli. Po tani çfarë do të bëni nga e para?
Në konceptin tim nuk e ndërton trajneri grupin, pasi duhet bashkëpunimi. Kështu që ne duhet t’i përmbahemi karakteristikave të Skënderbeut: Të afrojmë sa më shumë lojtarë fitues. Që nga presidenti dhe deri tek unë dhe drejtuesit, të gjithë të kontribuojmë për të afruar ata elementë që na duhen.
Do ta garantoni presidentin Ardjan Takaj për trofetë sezonin e ardhshëm?
Skënderbeu, qoftë me Dajën, apo edhe me trajnerë të tjerë, çdo kampionat ka startuar për të fituar trofe. Unë do ta garantoja që do të jap maksimumin tim, në mënyrë që të arrijmë objektivat që ka ky klub i madh.
Tirana ra nga kategoria, ju erdhi keq, pasi edhe ju ishit pjesë e saj> A keni ndonjë koment se kush është fajtori?
E para, i takon Tiranës të bëjë analizën e rënies dhe jo mua. Jo vetëm mua, por të gjithëve na vjen keq kur bie Tirana me kaq emër dhe trofe, pasi jo më kot është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Ata që janë pjesëtarë të Tiranës le ta gjejnë kush është arsyeja që Tirana u rrëzua, pasi mua nuk më takon një gjë e tillë.
Së fundi, ndonjë gjë që keni harruar pa na e thënë dhe që e keni peng për këtë sezon që sapo përfundoi?
E thashë edhe më lart dhe po e përsëris, që vetëm mosmarrja e trofeve më ka mbetur peng. Edhe pse të përgjysmuar dhe të rrëzuar psikologjikisht, nuk mundëm të merrnim as trofeun e dytë më të rëndësishëm pas kampionatit, për t’u bërë të paktën dhuratë tifozëve një trofe. Për këto më ka ardhur keq dhe më kanë mbetur peng.