Ali Soue fitoi gjithçka në Shqipëri. Ish-sulmuesi i Skënderbeut u largua me 29 gola të shënuar në “CV”-në e tij. Realizoi 21 herë në kampionat, pesë gola në Kupë dhe 3 në kupat e Europës. Por korçarët nuk mund ta blinin dot. në arkat e Kievos duhet të derdheshin 200 mijë euro. Skënderbeu e kish marrë në huazim me të drejtë blerje.
Rikthim në Itali, por Serie A është e vështirë. Nga Kievo sulmuesi ka kaluar te CSKA Sofje në Bullgari. Së fundmi klubi i tij ka “prezantuar” Souenë përmes një klipi të titulluar “Beyond the Jersey – Ali Sowe”. Shqip: Përtej fanellës Ali Soue.
HAPAT E PARË NË FUTBOLL – “Kam lindur në Gambia. Jetesa nuk ishte e lehtë, por ishim në rregull, pasi ishim të lumtur. Kur je fëmijë lumturohesh me gjëra të vogla. Që fëmijë më ka pëlqyer të luaj futboll. Kur isha i vogël, zgjohesha në mëngjes dhe vrapoja për të luajtur futboll. Nuk haja mëngjes. Ishte e vështirë për të gjetur top, por fatmirësisht unë isha ai që kisha topin. Me vrap shkoja mblidhja shokët, disa i zgjoja nga gjumi, disa ishin gati dhe shkonim në fushë. Luanim atje për shumë orë”, rrëfehet Soue.
https://www.facebook.com/cskasofiaofficial/videos/1163265897154965/
Sulmuesi tregon se si shkoi në Itali dhe si shkuan më pas gjërat atje: “Vëzhguesi i tyre erdhi në Gambia për të parë lojtarë dhe vetëm pas 10 minutash lojë me thirri. Isha i përzgjedhuri. Ishin të impresionuar nga paraqitja ime. Nga aty nisi karriera ime, pasi më mori në Itali. Ndeshja ime e parë ishte kundër Torinos”.
“Ishte shumë e bukur, pasi e dija se Gambia, i gjithë kombi im do ta shihte këtë ndeshje. Kam bërë historinë, pasi jam gambiani i parë që ka luajtur në Seria A. Më pas ishte një rutinë e vështirë, po nuk u dëmtove je me shumë fat. Kam qëndruar për një vit pa bërë asnjë aktivitet. Kam qenë shumë keq, nuk ka mundur as të ec. Ai ka qenë momenti më i vështirë në jetën time, erdhi nga ky dëmtim. Ajo situatë më bëri më të fortë”.
SKËNDERBEU – Kujtime të bukur Soue ruan edhe nga eksperienca e vjetshme me Skënderbeun: “Ishte një sezon i mrekullueshëm. Ne fituam kampionatin dhe Kupën, kurse unë u shpalla golashënuesi më i mirë. Të luaje në Europa League ishte fantastike. Kam shënuar golin e parë në Europa dhe nuk do ta harroj kurrë atë moment. Dua të bëj më shumë, pasi kam besim në vete dhe shumë uri për të bërë më shumë”, përfundon sulmuesi.