Rrëfimi i Plakut: Ju tregoj situatën time te Skënderbeu

Sulmuesi i Skënderbeut këtë herë nuk ka nuk ka duruar më, por ka folur, pasi ndihet i cenuar dhe i pavlerësuar. Gjithçka mbi atë që ka ndodhur me 32-vjeçarin

Vladimir Prenga

Sebino Plaku ka dhënë një kontribut të vyer për Skënderbeun për të kaluar në fazën “play-off”, teksa ka shënuar dy gola vendimtar në sfidat me Kairat Almatin dhe Mlada Boleslavën, ndërkohë që ka dhënë edhe një asist ndaj kazakëve në Korçë. Faktet janë kokëforta dhe normalisht meriton lëvdata, por sa duket gëzimi për sulmuesin është prishur dhe kjo është e akumuluar gjatë gjithë sezonit. Në një rrëfim për “Sport Ekspres”, sulmuesi 32-vjeçar ka treguar gjithçka, nga rikthimi në Korçë, trajtimi i bërë, mungesa e komunikimit me trajnerin Daja dhe pabarazinë ndaj tij, prapaskenën e asaj që ndodhi në Turqi dhe në fund ka edhe një mesazh.

ARSYEJA E RIKTHIMIT
“Kur doja të shkëputesha nga Korabi ndesha në vështirësi, për vetë situatën që u krijua atje, pasi u fitua ndeshja e fundit, ekipit iu krijua ideja se do kishte një pjesë të dytë më të mirë të kampionatit. Patëm probleme me njerëz, qoftë për dokumentacionin qoftë për gjëra të tjera. Edhe pse Skënderbeu interesohej për mua, ishte insistimi im që të kthehem, pasi doja të isha pjesë e një ekipi elitar, edhe pse kisha oferta të tjera nga skuadra rivale të Korabit. Ramë dakord me presidentin parimisht, por nuk firmosa deri në momentin që ai të vendoste për trajnerin, pasi më thanë se nuk ishte vendosur. Kur mora vesh që ishte Ilir Daja, me të cilin kisha bërë një bisedë më parë për t’u bashkuar me Tiranën dhe vetë ai ishte i interesuar, vendosa që të shkoja te Skënderbeu. Më përpara historia ishte ndryshe, kisha vuajtur pjesën e aktivizimit dhe nuk doja të përsëritej e njëjta histori. Përderisa drejtimin e mori Ilir Daja, mendoja se do kishte një sjellje korrekte, pasi e kisha njohur për një njeri shumë korrekt dhe normal ia vlente ta merrte iniciativën për t’u rikthyer”.

NISJA E VËSHTIRËSIVE
“Që në fazën përgatitore hasa vështirësitë e para. Kur shkova ishte ideja që Xhejms ishte pranë largimit dhe ata donin që të kishin zëvendësuesin e Xhejmsit, pasi ata më njohin për cilësitë që kam. Kjo nuk ndodhi, Xhejms nuk iku dhe klubi duhet ta mbante atë në fushë apo shumë lojtarë të tjerë, gjë që bën pjesë te menaxhimi i tyre. Nuk e kisha menduar kurrë që do shkonte deri në këtë pikë. Pas fazës përgatitore, në ndeshjet e para, mundësia e parë që m’u dha, nuk isha ndoshta në formën më të mirë, duke mos qenë deçiziv dhe përfundova direkt jashtë. E nisa titullar dhe më pas përfundova në stol, por u mundova ta gjeja problemin te vetja, pa u marrë me deklarata në media, apo me biseda me trajnerin e presidentin. E pashë që kjo nuk ishte
zgjidhja, pasi shpesh herë kishte lojtarë të pakënaqur dhe nga tribuna përfundonin në formacion e anasjelltas, gjë që se kuptoja. Kjo nuk ndodhte me të gjithë, kjo ndodhte vetëm me mua. Të gjitha këto i kam përtypur, pasi nuk doja të bëhesha problematik, të bëja grupe apo ku di unë, gjëra që nuk di si bëhen. Gjithmonë e kam kërkuar të vetja dhe atë gjë bëra sërish. Nga titullar u ktheva në një lojtar që të mbushja boshllëqet kur nuk kishte më lojtar. Asnjëherë nuk kam dashur ta pranoj dhe nuk mund ta pranoj që të jem lojtar i tillë, plotësues”.

MUNGESA E KONKURRENCËS
“Vjet nuk kishte konkurrencë, gjë që niste që të hënën kur vendosej formacioni. Kjo bën që ulë shumë rendimentin e ekipit. Edhe mua, që e konsideroj veten profesionist, po të ma japësh fanellën e titullarit që ditën e hënë, normalisht që do ta ul pak ritmin. Konkurrenca e lartë rrit nivelin, kjo nuk ndodhi te Skënderbeu, u krijuan lojtarë të padiskutueshëm, ndërsa ne të tjerët mbushnim boshllëkun. Në çdo moment që jam futur kam dhënë maksimumin, duke e marrë me profesionalizëm. Kam luajtur shumë pak, por ndaj Partizanit që m’u dha mundësia e luajta më shumë, shënova. Nuk mbaj mend ndeshje tjera, aq pak kam luajtur”.

MUNGESA E KOMUNIKIMIT
“Mbaroi kampionati, e humbëm për shumë arsye që dihen dhe ndoshta një nga arsyet është pjesa e menaxhimit jo të mirë të grupit. Gjithmonë kam tentuar të komunikoj me trajnerin, edhe gjatë kësaj kohe, në mënyrë që të merrja vesh çfarë ndodh, por më ka shmangur, edhe pse kam tentuar disa herë të ballafaqohem me të. Po nisem nga deklarata e trajnerit pas ndeshjes me Mladën, që gjithë njerëzit ta dinë pak a shumë, edhe pse nuk mund të jap çdo detaj. Pasi mbaroi kampionati, humbëm edhe ndeshjen e Kupës, më pas diskutuam me klubin, që edhe pse kishim edhe 6 muaj kontratë, të jepej një zgjidhje, pasi nuk mund të vazhdoja më në të njëjtën mënyrë. Ramë dakord që ta mbyllnim me konsensus dhe isha dakord. Po vetë klubi mendoi që të më kthente, të shkoja në fazë, edhe pse unë e kisha vendosur të mos shkoja më, për arsyet që edhe i përmenda. Rashë dakord dhe iu përgjigja kërkesës së klubit. Kur shkova atje vura re që klubi dhe trajneri nuk ishin në sinkron, jo se ai u surpriza, pasi nuk shprehu ndonjë emocion, qoftë edhe duke më komunikuar. Ideja ishte që nuk isha i mirëpritur më, por futa në kokë idenë se unë duhet të jem profesionist dhe në momentin që trajneri më thërret duhet të jem i gatshëm. Gjithmonë me këtë moto jam futur, edhe pse nuk kam hasur këto lloj vështirësish në komunikim me trajnerët, pasi unë gjithmonë kam qenë i hapur nga ana profesionale me çdo trajner. Me Dajën nuk e kam pasur këtë gjë, edhe pse kemi një njohje të vjetër, pasi ka qenë mik me trajnerin tim të parë, Ilir Spahiun, dhe kam ruajtur respektin e atij. Kisha krijuar respekt, por nuk kishim punuar më parë bashkë. Kam kërkuar të di çfarë kërkon nga ana profesionale prej meje”.

PABARAZIA
“Jam takuar me trajnerin Daja pas përfundimit të sezonit dhe më tha: ‘E kishe mundësinë në finalen e Kupës dhe e dogje’. I thashë: ‘Ok, nëse unë e kam pasur fajin, ky është mendimi yt, ti je trajneri, nuk ta ndryshoj dot mendimin. Ti ma faturove mua këtë ndeshje, sado që kishte katër lojtarë inekzistentë. Tani ma faturon mua. Ok, por kur më thua që e kishe mundësinë, çfarë të bëj unë, të vras veten? Më thua që kishe mundësinë e jetës”. Komunikimi ishte shumë i dobët edhe njëherë tjetër të njëjtën gjë më ka thënë. “E kishe mundësinë nuk e shfrytëzove, tani nuk ke çfarë të bësh. Nuk je më prioritet i klubit sepse klubi ka prioritet lojtarët e rinj për t’i shitur, kështu që prit radhën”. Problemi ishte që të presësh radhën dhe të ketë konkurrencë, jam dakord, por kur më thua prit radhën dhe më çon në tribunë sepse do të luajnë të tjerët, pasi janë prioritet i klubit, pse nuk e bën? Kur erdhi ndeshja e dytë dhe pe vështirësi thirre Plakun dhe lojtarët me eksperiencë. Erdhi turi i tretë, fute sërish ato me eksperiencë. Trajneri thoshte që unë jam pasqyrë dhe ndoshta duhet pyetur ai, mos kishte disa pasqyra të ndryshme, për njerëz të ndryshëm, pasi pasqyrë nuk ishte ajo e imja, nëse do të bësh krahasimin me lojtarët e tjerë.
DEKLARATA E PARË
“Kujtojmë deklaratën e Dajës për Xhejmsin, që tha se kishte dy ditë me grupin. Një profesionist nuk e bën një deklaratë të tillë, pasi bie ndesh me profesionin, sepse një lojtar duhet të stërvitet gjithë javën me ekipin, të ketë ritmin e duhur dhe trajneri më pas vendos në fund të javës së kush luan. Nëse ti e fut një lojtar që ka vetëm dy ditë stërvitje, kjo nuk është pasqyrë dhe nuk është profesionalizëm. Që këtu tregohet se ka diferencime në ekip, pasi të tjerët stërviten, vijnë nga ndeshja të plota, siç isha unë në rastin konkret dhe dy ditë para ndeshjes së kthimit me Mladën duhet të dalësh, pasi duhet të luajë dikush tjetër, atëherë kjo nuk është pasqyrë, nuk është profesionalizëm. Kjo do të thotë që ke pasqyra të ndryshme për çdo person. Çështja “Xhejms” ka ndodhur shpesh gjatë kampionatit. Sa sivjet nuk ka pasur kurrë kaq shumë tribuna për mua, por unë sërish e kam kërkuar te vetja. Mund të mos jemi shokë e miq, por kur vjen puna te profesionalizimi duhet t’i japim meritat njëri-tjetrit, siç ja jap unë trajnerit çfarë ka bërë për pjesën e tij në aspektin taktik. Ashtu duhet t’u japë meritën lojtarëve që kanë kontribuar. Këtë herë unë ndihem i cenuar, pasi në momentin që mundohem të jap më të mirën time sa herë me jepet mundësia, edhe pse i luftuar nga të gjitha anët, më hidhet poshtë kontributi mua dhe lojtarëve të tjerë. Nëse nuk vlerëson lojtarët që të sollën në atë situatë, atëherë pse duhen promovuar të tjerë? Kjo tregon një nga diferencimet e shumtë që janë bërë aty brenda. Gjithë emocionet e bukura që kishin m’u prishën kur dëgjova atë deklaratë. Njerëzit e dinë konsideratën që kam për Korçën dhe se e dua ekipin dhe qytetin, ndaj dua të dinë njerëzit për situatën time.
PRAPASKENA NË TURQI DHE MESAZHI
“Në ndeshjen e parë ndaj Kairatit, unë isha programuar për të qenë në tribunë, por sulmuesi malazez nuk pranoi stolin dhe unë u futa në 18-she. Nga krijimi i kësaj mundësie m’u dha shansi që të luaj në ndeshjen e dytë. Ishim në një situatë ku duhej edhe një sulmues në lojë dhe duke ditur që jam i shpejtë më futi mua dhe rezultoi zgjedhje pozitive. Pas ndeshjes ai deklaroi po të njëjtën gjë, ndërkohë që specialistët e vlerësuan si lëvizje, por trajneri mundohej të largonte vëmendjen, gjë që unë nuk është se e kam dashur ndonjëherë. Tani është e thjeshtë për ta bërë, me rrjete sociale e mënyra të tjera, por nuk kam qenë ai lloj tipi. I tregova që gjithçka ka ndodhur, i përket së shkuarës. Xhejmsi pati dëmtim dhe luajta titullar me Mladën në ndeshjen e parë. Ishte ndeshje e vështirë, bëra maksimumin. Analiza tregoi që ishte i kënaqur, më tha që jam munduar shumë, pasi skuadra ishte e vakët në sulm. Nuk shënova, por kisha bërë mirë në aspekte të tjera. Në ndeshjen e kthimit, kur je i vetmi sulmues në ekip, mendohet se duhet të jesh titullar. Klubi ka prioritet të rinjtë dhe unë duhet të hapja krahun. A është e mirë për frymën e skuadrës? Unë mendoj se jo. Dy ditë para ndeshjes u përzgjodh Xhejms të luante dhe unë e pranova këtë gjë sërish, siç kam bërë gjithmonë. M’u tha se është më mirë që Xhejms të luajë nga fillimi, pasi nuk është për lojë dhe po ta fusim si zëvendësues, mund të duhet ta nxjerrim dhe digjet një zëvendësim. Thashë që të bëhet më e mira për ekipin. Vjen ndeshja, ishte Taku gati të futej, nisa të zgjidhja këpucët, urova Takun,por nuk e di çfarë ndodhi dhe trajneri ndërroi mendje. U futa, pjesa tjetër dihet dhe marr vesh deklaratën ku jam mos përfillur nga trajneri. Kjo pjesë mund të marrë lloj-lloj emri, mungesë respekti dashakeqësi a ku di unë. Nuk kam dashur të merrem deklarata, por ajo deklaratë më ka cenuar disi dhe do jetë më mirë që ne të respektojmë njëri-tjetrin dhe po ashtu le ta mbyllim, do ishte më e ndershme, që ne të ruajmë respektin për njëri-tjetrin”.

One thought on “Rrëfimi i Plakut: Ju tregoj situatën time te Skënderbeu

  1. Edhe une kam menduar gjithnje se Plakut nuk i eshte dhene ajo qe ai meriton tek Skenderbeu. Gabimi fillon qe vitin e kaluar kur u huazua ne Korabi. Edhe kur u rikthye ne janar nuk u vlersua sic duhet. U teprua si me Salihin ashtu edhe me Xhejmsin ne aktivizim ne dem te Plakut. Ai ne ato pak minuta qe ju dhane vjet tregoi se meritonte shume me teper por kjo nuk u kuptua kurre nga trajneri Daja.Besoj se eshte nje nga shkaqet e e humbjes se kampionatit. Edhe kete vit u fillua gabim me Plakun. Daja thote se “Plaku duhet te kete me shume besim tek vetja” kur ne fakt eshte krejt e kunderta duhet Daja te kete me shume besim tek Plaku.Gjithashtu mendoj se tek Skenderbeu po gabohet rende edhe me Reza Karimin.

Leave a Reply to Morava Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *