Dorian Bylykbashi është një nga ish-lojtarët më të dashur të tifozëve të kuq. Mesfushori ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Partizani, ndërkohë që sot në lidhje direkte në Supersport ka folur për derbin e kryeqytetit.
“Derbi ka emocione të papërshkrueshme. Ka shumë emocione dhe lojtarët japin 120% të tyre. Nuk është vetëm një ndeshje, nuk janë tre pikë, por gjashtë. Trajnerët mundohen të ulin tensionin dhe lojtarët të jenë të liruar nga ana psikologjike. Pritet që të luash keq, por ta fitosh derbin. Nuk është si një ndeshje tjetër, por unë ashtu e përgatisja. Vetëm në fushë jep maksimumin, nëse e mendon si ndeshjen e radhës”, tha mes të tjerash ish-mesfushori.
Ai kujton më tej edhe ndeshjen që i ka mbetur në mendje: “Derbi i paharrueshëm ka qenë ai që doli 3-3, ishte 3-1 për Tiranën. Ishte një ndeshje me raste me gola dhe për mua ka qenë derbi më i bukur. Ne kishim shumë brazilianë, ata kishin Mukën, Deden, Rrakllin e shumë lojtarë të mirë”.
Të shënosh në derbi është ndjesi e veçantë dhe këtë e pranon edhe Bylykbashi: “Nuk bën dot gol i vetëm, çdo gol i takon ekipit. Kënaqësia kur shënon në derbi është më e madhe”.
“Titulli apo derbi? Për tifozët është më mirë derbi, se kampionati. Kur i fiton katër, vlen një titull. Unë nuk kam fituar kampionat, por kur fitonim derbi tifozët ishin të kënaqur”.
ANALIZA – “Partizani aktual nuk ka lider, por janë grup kompakt. Të gjithë bëjnë atë që u takon, ndaj edhe janë lart në klasifikim. Çdo sezon futet për titull, më pas ka probleme si për këdo”.
KRAHASIMI – “Nuk ka krahasime, çdo ekip ka epokën dhe lojtarët e vet. Ky ekip ka bukurinë e vet, që nuk di si ta shpjegoj. Ka veçoritë e veta. Nuk krahason dot Bylykbashin me ekipin sot pas 15 viteve. Nuk kam parë ndonjë që të jetë i ngjashëm me karakteristikat e mia. Nuk është se ka ndonjë që më përshtatet. Asnjë ekip nuk ka një ’10-sh’, një fantazist”, përfundoi Bylykbashi.