Rrapo Taho i jep kurajo Flamurtarit: Tiranës i merrni pikë sot!

0

Sot pasdite luhet ndeshja e javës së 18-të të Superiores, Tirana-Flamurtari, një ndeshje ku të dyja skuadrat janë me synime ekstreme. Ish-mbrojtësi vlonjat Rrapo Taho, deklaron për SportEkspres.com se Flamurtari i ka potencialet që sot të mos dalë pa pikë nga “Selman Stërmasi”, duke u mbështetur kryesisht në lojën e mirë që ka zhvilluar Flamurtari në dy javët e fundit të Superiores.

Rrapo Taho është pjesë e Flamurtarit në periudhën 1980-1990, në atë kohë të artë kur vlonjatët tronditën edhe Barcelonën e Partizanin e Beogradit. Jo vetëm te Flamurtari, por në këtë hark kohor Taho ka qenë edhe qendërmbrojtës i Kombëtares sonë, një stoper që çdo skuadër e kishte të vështirë. Pas lënies së futbollit të luajtur, Rrapo Taho merret me trajnimin e moshave të reja në futbollin vlonjat.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Pas 17 javëve kampionat, cili është përshkrimi juaj për Kategorinë Superiore?
-Ky sezon i Superiores duket se ka një nivel më të mirë nga sezoni i kaluar, por ka edhe një ecuri graduale të skuadrave. Nëse i referohemi renditjes në 17 javë, në pjesën e sipërme të tabelës janë Partizani e Teuta që veçohen, ndërsa katër skuadrat e fundit nuk duken në ritmin e kreut.

Po Flamurtari në këto javë, në këndvështrimin tuaj është në pritshmëritë e tij?
-Me këtë gjendje në renditje, unë them se Flamurtari nuk ka bindur shumë në këto javë, duke përjashtuar dy ndeshjet e fundit. Në këto dy faza të para skuadra ka treguar shumë ulje e ngritje në lojë e në rezultate dhe pritshmëritë ishin që të kishte grumbulluar 5-6 pikë më shumë.

Ku mendoni se ka gabuar Flamurtari në këto dy faza të para që mbyllen sot me Tiranën?
-Gjithmonë një organizim i mirë ka në mesin e tij edhe mangësi, por unë mendoj se Flamurtari ka ardhur duke u konsoliduar në harkun e dy fazave të para të kampionatit. Realisht ka një sulm të vakët e mesfushë jo të plotë, ndërsa si skuadër zhvillon lojë graduale jashtë karakterit të saj.

Sot në ora 16:30 në përballjen me Tiranën, ka mundësi Flamurtari të dalë me pikë nga “Selman Stërmasi”?
-Historikisht ndeshjet mes këtyre skuadrave kanë sjellë interesim të madh, si në Tiranë, ashtu edhe në Vlorë. Në histori janë dy skuadra të mëdha në futbollin shqiptar, por realisht në këtë sfidë vijnë me mungesa. Gjithsesi, unë Flamurtarin nuk e mendoj pa pikë pas kësaj sfide.

Trajneri Daja i Flamurtarit ka drejtuar Tiranën tre sezone më parë, do të ketë ndikim ky fakt?
-Absolutisht jo, sepse këtu kemi të bëjmë me profesionizëm. Por unë do ta këshilloja që ai të jetë më këmbëngulës te lojtarët për zbatimin e detyrave në fushë dhe të futë frymën e lojës kolektive në skuadër, që ka qenë arma jonë më e fortë, kryesisht në përballje me rivalë si Tirana.

Po në takimet e tjera të javës së 18-të, mendoni se do të ketë rezultate surprizë?
-Në tërësinë e tyre, të gjitha takimet e kësaj jave janë të forta dhe të vështira. Nuk kanë shumë diferenca skuadrat mes tyre, por unë shoh Partizanin favorit ndaj Luftëtarit dhe Teutën ndaj Laçit. Skënderbeu del me rezultat pozitiv nga përballja me Kamzën dhe Kukësi fiton me Kastriotin.

Duke qenë se kjo javë mbyll edhe fazën e dytë, çfarë mendoni se duhet të bëjnë skuadrat për dy fazat e tjera të këtij kampionati?
-Nga të gjitha skuadrat duhet një merkato më e studiuar dhe me nivel, jo më emra që nuk bëjnë diferencën. Periudha deri më 20 janar 2019 është e ngarkuar dhe e vështirë për të gjetur elementë cilësorë, fakt ky që trajnerëve ju imponon përgatitje më të detajuar me përbërjet aktuale.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.