Odise Roshi shënoi golin e avantazhit të përkohshëm në Luksemburg dhe duket një ndër lojtarët më në formë në kombëtaren kuqezi. Nga Turqia, ku kombëtarja po përgatitet para Izraelit, mesfushori i Terekut në Rusi rrëfen se aftësinë për të shënuar e ka kultivuar që i vogël: “Luaj pothuajse në çdo pozicion, mesfushor i djathtë, i majtë, në sulm. Besoj se pozicioni im i preferuar është mesfushor i djathtë. Gjithmonë kur kam qenë i vogël kam luajtur sulmues, por kur u bëra futbollist profesionist, luajta mesfushor i djathtë. Kur je sulmues është më mirë dhe ke më shumë shanse për të shënuar”.
Sipas Roshit, humbja me Luksemburgun nuk duhet ta dramatizohet, pasi edhe ekipe më të forta janë ndalur nga ky kundërshtar: “Po diskutohet shumë, por edhe ekipe me të mëdha kanë humbur ndaj Luksemburgut. Kishim tre-katër shanse për ta mbyllur ndeshjen, pastaj sikur u liruam pak dhe pësuam dy gola”
Skema 3-5-2 nuk duket e përshtatshme për Shqipërinë: “Ne kemi ecuri më mirë kur kemi luajtur me një sulmues, por ka raste kur duhet të luash edhe me 2. Kjo është në varësi të kundërshtarit. Ka shumë skema që kemi aplikuar në stërvitje, pak e vështirë sepse Izraeli ka ekip të mirë, por besoj se ne jemi më lart. E kam ndjekur Izraelin në ndeshjet me Maqedoninë dhe Italinë. Luajnë mirë në të dyja fazat. Ne duhet të japim maksimumin dhe nëse marrim fitoren, shumë humbje që kemi bërë shumëzohen me zero. Përqendrimi është më i rëndësishëm në futboll, ndan suksesin me humbjen. Shqipëria arriti në një nivel ku nuk kishte qenë kurrë. Të gjithë çunat e kanë ndoshta mendimin që kemi rënë cilësisht, por duhet të jemi më të përqendruar ndaj Izraelit”.
Momenti është i zymtë: “Harmoni duhet të ketë gjithmonë në skuadër, edhe nëse humbim duhet të jemi më të qeshur për t’u kthyer te fitorja. Nuk kemi probleme, skuadra di të rinovohet vit pas viti sepse do të vijnë elementë nga Shpresat”.
Roshit i mungon në kombëtare Balaj, i dëmtuar, ndërkohë që edhe te Tereku e ardhmja e tyre nuk është e qartë: “Tereku ka bërë një vit shumë të mirë, objektivi ynë ishte Europa, por në fund hyri Krasnodari në vendin tonë. Vendi i pestë ishte rekord. Këto ndeshjet e fundit kemi marrë rezultate shumë të mira. Normale që më mungon Balaj, kam qëndruar gjithmonë me të. Komunikojmë herë pas here. I mungon grumbullimi me skuadrën”.