Një ndër mijëra trajnerët e papunë në këtë moment është dhe kroati Damir Buriç. Tekniku 54-vjeçar së fundmi ishte pjesë e Grojter Fyrtit. Buriç e drejtoi skuadrën, që militon në Bundesliga.2, për një vit e gjysmë duke filluar nga shtatori i 2017-ës deri më datë katër shkurt të këtij viti.
Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, fundja dikush mund të thotë me shumë të drejtë se një vit e gjysmë është një periudhë e kënaqshme për një trajner në një epokë kur dëgjojmë lajme shkarkimesh thuajse çdo javë. Megjithatë, nëse futemi më thellë kësaj historie zbulojmë se më datë 28 nëntor Buriç rinovoi kontratën e tij me klubin deri në verën e vitit 2020.
Nga rinovimi deri në shkarkim mjaftuan 6 ndeshje, pesë prej të cilave humbje, ndërsa një barazim. “Mallkimi” për trajnerin kroat filloi tre ditë pas nënshkrimit të kontratës. Humbje e thellë 4-0 ndaj Këlnit në transfertë, më pas një disfatë akoma më shokuese si pritës ndaj Erzegebirge Aues me rezultatin 0-5. Vijohet me humbje ndaj St.Paulit dhe 2018-ta mbylet me një barazim pa gola me Saundhauzenin.
2019-ta fillon si mos më keq me një humbje në shtëpi ndaj Ingolshtadit të vendit të fundit, ndërsa për t’i “vënë kapakun” mjaftoi një humbje tenistike 6-0 nga Paderborni. Dy ditë pas asaj ndeshje drejtuesit e trajneri shtrënguan duart siç bënë dy muaj më parë, por kësaj radhe për t’i thënë njeri-tjetrit lamtumirë.