Lacio do të presë nesër Atalantën në “Olimpico” në ndeshjen më të fortë të kësaj jave në Serie A. Të dy ekipet luftojnë për një vend në katërshen e parë dhe fitorja është alternativa e vetme.
Lukas Leiva është një nga lojtarët kyç të ekipit të Inzagit. Braziliani është ura lidhëse mes mbrojtjes dhe sulmit. Ish-lojtari i Liverpulit ka rinovuar deri në vitin 2022 me Lacion, që ka bërë publik lajmin në faqen e saj zyrtare.
Në një prononcim për “Corsport”, 32-vjeçari flet për të ardhmen dhe mundësinë e rikthimit dhe mbylljes së karrierës në vendlindje. Lukas ndihet i lumtur në kryeqytetin italian dhe mohon në mënyrë kategorike rikthimin një ditë te Liverpuli, aty ku u aktivizua për 10 sezone, përpara se Igli Tare ta vishte me ngjyrat bardhekaltër.
“Është akoma herët për të menduar për ekipin e radhës. Nuk e kam vendosur ende nëse do të kthehem në Brazil për të luajtur apo për të jetuar. Rikthimi te Liverpuli? Jo, familja ime gjendet për mrekulli në Romë. Mund të jetojmë këtu përgjithmonë. Më intrigon kjo ide dhe më pëlqen shumë”, përfundon mesfushori i Lacios.