Rindërtimi, financat, çudirat dhe triumfi i Tërbunit, Kërnaja rrëfen sezonin perfekt

Viti 2015 mbetet i shkruar me germa të arta për futbollin pukjan, sepse për herë të parë në historinë e vet Tërbuni mori pjesë në Kategorinë Superiore. Ishte një sezon jashtëzakonisht i vuajtur, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së eksperiencës, në një kampionat “ujqish”, ku është tepër e vështirë të mbijetosh.

Megjithatë, drama e vërtetë nisi më pas, sepse në fund të sezonit 2017/18 Tërbuni zbriti edhe nga Kategoria e Parë, duke paguar shtrenjtë punën e dobët në ndërtimin e skuadrës, problemet e brendshme dhe krizën financiare. Gjithsesi, verën e shkuar drejtuesit e bashkisë Pukë dhe shefi i klubit Dritan Frroku vendosën të rinisnin gjithçka dhe të ndërtonin një ekip të denjë për t’u kthye menjëherë në Kategorinë e Parë.

Drejtimin e skuadrës e mori Oltjon Kërnaja, i cili është vetëm 30 vjeç dhe ndoshta është parë me mosbesim, por prej disa vitesh është në botën e trajningut dhe ka treguar se është personi i duhur për të bërë trajnerin, por pse jo edhe menaxherin e modelit anglez, sepse praktikisht ka qenë ai që ka bërë ‘krasitjen’ dhe më pas ka përforcuar skuadrën, duke qenë një njohës i mirë i futbollit të kategorive të ulëta, ku ka luajtur deri në momentin që la futbollin para kohe.

Për “SportEkspres.com” Kërnaja ka treguar rrugëtimin e tij dhe të Tërbunit, luftën në fushë e jashtë saj, mbylljen me trofe dhe planet e së ardhmes.

Kërnaja, për herë të parë një sezon i plotë në dispozicion si trajner dhe misioni është kompletuar 100% me sukses. E mendoje të tillë, kur more drejtimin vjet?

Te Tërbuni nuk jam një emër i ri, është shtëpia ime praktikisht dhe e dija mirë çfarë më priste. Që verën e shkuar vendosëm të ndërtonim një skuadër të fortë, por mbi të gjitha synuam të harronim një herë e mirë problemet financiare, për të mos pasur asnjë shqetësim deri në mbyllje të sezonit.

Sa ka kushtuar financiarisht ky sezon dhe sa është mesatarja në Kategorinë e Dytë?

Tërbuni ka shpenzuar pak më shumë se 100 milionë lekë të vjetra këtë sezon. Është një shifër e madhe, por disa klube kanë shpenzuar më shumë se ne. Ka edhe klube që me zor shpenzojnë gjysmën e kësaj shifre.

Kategoria e Dytë është jashtë vëmendjes, por në çfarë niveli është realisht aty futbolli?

Disa skuadra, si Tërbuni, kanë lojtarë cilësorë, sepse verën e shkuar dhe në janar afruam lojtarë me eksperiencë në kategori më të larta. Megjithatë, në shumë ekipe niveli është i ulët, shumë, thuajse amator. Është për të ardhur keq, sepse një buxhet si i yni nuk është i paarritshëm për thuajse të gjitha klubet, por problemi është te menaxhimi, serioziteti, planifikimi.

Çdo të thotë të punosh në Pukë, në një qytet që nuk shquhet për futboll dhe është i ndëshkuar nga të qenit shumë larg kryeqytetit?

E vërtetë, është e vështirë, shumë. Lojtarët nuk jetojnë dot në Pukë, ndaj nuk shkojmë dot përditë aty për stërvitje. Mblidhemi në Tiranë, stërvitemi, shkojmë në Pukë për ndeshje. Tifozët na kanë qëndruar shumë pranë, edhe në transferta, por mediatikisht natyrisht jemi të lënë në hije, jo vetëm këtë sezon, por edhe kur ishim në Kategorinë e Parë. E kuptojmë që jemi larg, por mbulimi mediatik dhe televiziv të paktën në Kategorinë e Parë duhet më i ekuilibruar, nuk mund të transmetohen çdo javë 3-4 ekipe.

Shpesh ka ankesa ndaj FSHF-së, për shumë gjëra. Realisht, ku mendoni se ka defekte?

Ankesa ka plot, disa janë të drejta e disa janë absurde. Klubet ankohen për mungesë vëmendjeje nga FSHF, por vetë klubet nuk kanë pikë organizimi dhe nuk lexojnë asnjë rregullore. Të gjithë kërkojnë që sezoni të fillojë sa më vonë, në tetor mundësisht, sepse kujtohen të kërkojnë lojtarë në shtator. Askush nuk i diskuton vendimet që merren, pastaj kujtohen rrugës.

Po ju, a jeni ankuar ndonjëherë konkretisht?

Që në fillim, verën e shkuar, kur u hodh shorti i Kategorisë së Dytë, donim të dinim si do procedohej me lojtarët e huaj, si do procedohej me lojtarët e ekipeve B, si Partizani e Vllaznia. Asnjë drejtues nuk donte t’ia dinte, të gjithë prisnin të hidhej shorti e të iknin, ndërsa ankesat dalin më vonë, disa muaj pas fillimit të kampionatit.

Meqë ra fjala tek të huajt, para pak javësh keni luajtur kundër Partizanit B, por në fushë ishin Atanda, Rexhepi e disa të tjerë nga ekipi A.

Edhe kjo ishte diçka absurde. Tërbunit nuk i lejohet të federojë lojtarë jashtë rrethit të vet, Partizani B luan me lojtarë të huaj kur ka nevojë! Ishte një nga ankesat që kishim verën e shkuar, por nuk na dëgjoi askush. Gjithsesi, interesante është se ekipet B nuk përfituan fare nga përforcimet nga ekipi i parë. Sa herë kemi luajtur kundër tyre, e kemi pasur më lehtë kur në fushë kanë qenë përforcimet.

Na thoni një moment të çuditshëm, apo komik, nga sezoni që lamë pas…

Të them të drejtën, Kategoria e Dytë është një minierë momentesh komike, sheh shumë gjëra absurde. Më kujtohet kur prisnim Tiranën B dhe bardheblutë vendosën të mos paraqiteshin fare në Pukë, për të mos shpenzuar kot. Ne e dinim, Tirana kishte njoftuar zyrtarisht edhe Federatën. Mirë do ishte të mos shkonim as ne, por FSHF ka kërkoi që të paraqiteshim rregullisht në fushë, për të qëndruar pak minuta sa të kryhej rituali nga zyrtarët e ndeshjes. Për të respektuar protokollin, u detyruam të udhëtojmë për në Pukë dhe të shpenzojmë 1 milionë lek, e kuptoni çfarë shifre është?

Sezoni i ardhshëm në Kategorinë e Parë. Cili është plani?

Së shpejti do të takohemi me drejtuesit e klubit dhe natyrisht besoj se do të kemi të njëjtin bashkëpunim si deri tani, sepse ka qenë gjithçka perfekte. Jemi ndër klubet më korrekte në aspektin financiar dhe nuk është pak, ndaj mund të bëjmë gjëra të mira, sepse futbollistët cilësorë afrohen më lehtë kur ka garanci financiare. Natyrisht duhet një buxhet më i madh, duhen edhe 5-6 lojtarë, sepse Kategoria e Parë është shumë më e vështirë se e dyta. Në mendje i kam gjërat të qarta, synimi është t’i bëjmë realitet në kohën e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *