Klubi i Çelsit do të rikthejë portierin legjendar, Peter Çeh. Gardiani i portës së Arsenalit do të lërë futbollin e luajtur pikërisht pas finales së Europa League, ku përballë do të ketë Çelsin. Te Blutë e Londrës, Çeh pritet të marrë rolin e drejtorit sportiv, ku në fokus do të ketë zbulimin dhe rekrutimin e talenteve të rinj.
Me datë 29 maj, Çeh dhe Çelsi do të jenë rivalë në fushën e lojës, por disa ditë më vonë, portieri do të firmosë për herë të dytë me skuadrën londineze, kësaj radhe me një rol drejtuesi. Çeh ka luajtur për plot 11 vite, ku ka fituar trofe të shumtë, përfshirë katër Premier League dhe 1 Champions League.
36-vjeçari është një nga njerëzit më të kompletuar në futboll, pasi di plot 7 gjuhë të ndryshme, ka kontakte me shumë drejtues të skuadrave më të mëdha në botë dhe konsiderohet si një “sy i mprehtë” për zbulimin e talenteve.