Stavri Nica herën e fundit ishte në krye të Teutës, por vetëm tre javë i drejtoi durrsakët në Superiore sezonin e shkuar. Më parë kishte qenë në krye të Bylisit, kurse kampionatin e kishte nisur me Laçin në elitë. Prej muajsh durrsaku ishte pushim, ndërkohë që tani është rikthyer tek Erzeni.
Nuk do të drejtojë ekipin e parë, por do të merret me ekipet e moshave, kryesisht atyre të vogla. Nica ka qenë edhe më parë pjesë e shijakasve, por si trajner i ekipit të mëdhenjve. Tashmë për të nis një aventurë e re.
Ndërkohë ka një largim nga skuadra e Erzenit. Mbrojtësi i majtë, Ermal Vathi, pas dy sezonesh e ka mbyllur me skuadrën që përfaqëson Shijakun. Kontrata i ka përfunduar dhe nuk ka marrëveshje për të vijuar bashkëpunimin. Tashmë lojtari nga Fushë-Kruja është i lirë dhe në pritje të ofertave.