Ribaj: Asnjë kontakt me Apoloninë, më duan në Kosovë dhe Superiore

 

Andi Ribaj është lojtar i lirë, pasi i ka përfunduar kontrata me Flamurtarin. Sulmuesi vijon të përgatitet individualisht dhe pret të vendosë së shpejti për të ardhmen. Ofertat nuk i mungojnë dhe në atë që ai deklaron për SportEkspres.com, Kosova dhe Superiorja janë opsionet për të.

Pista Apolonia, që ka qarkulluar ditët e fundit, hidhet poshtë prej sulmuesit. “Me Flamurtarin më përfundoi kontrata dhe isha i detyruar të largohesha. Më duhet që të ruaj gjendjen time fizike dhe po stërvitem individualisht, pasi jam në pritje të skuadrës së re.

Kam një ofertë nga Kategoria Superiore dhe një nga IPKO Superliga e Kosovës. Kurse me Apoloninë nuk kam patur asnjë kontakt. Fillimi i muajit korrik do jetë vendimtar për të ardhmen time”, theksoi Ribaj në deklaratën e tij.

Në karrierën e tij 11-vjeçare në elitë, sulmuesi Andi Ribaj ka luajtur me pesë skuadra të Superiores: Apoloninë, Skënderbeun, Teutën, Vllazninë dhe Flamurtarin. Në sezonin 2015-2016 është aktivizuar në Izrael me Makabi Kiryat Gat. Nëse do realizohet që të kalojë në Kosovë, kjo do të jetë hera e dytë që luan jashtë Shqipërisë. Dëshira e tij është të mbetet në Superiore.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *