Kukësi është fokusuar te ndeshja e radhës me Skënderbeun. Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë zhvillohet të mërkurën prej orës 16:00 në Kamzë, ndërkohë që trajneri Ernest Gjoka edhe këtë herë nuk do ta ketë grupin të plotë.
Gëzim Krasniqi dhe Edis Maliki e kanë mbyllur sezonin dhe nuk llogariten, po ashtu edhe kapiteni Ylli Shameti i cili ende nuk është rikuperuar. Gjirokastriti edhe në seancën e sotme stërvitore është përgatit veçmas grupit dhe ende nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm për lojë.
Takimi me Tiranën ka sjellë të tjera pasoja për Kukësin. Arbër Çyrbja doli i dëmtuar nga fusha dhe sot nuk ishte në stërvitje. Gjithashtu vijoi të mungonte edhe Valdet Rama. Dy lojtarë të rëndësishëm, që duket se Gjoka nuk duhet t’i llogarisë për sfidën me korçarët.
Në listën e lojtarëve me probleme është shtuar edhe Rexhinaldo. Sulmuesi nga Mozambiku ka ndjerë një shqetësim dhe mjekët i kanë rekomanduar të punojë veçmas. Nesër do të shihet edhe më mirë gjendja e tij dhe do të kuptohet nëse mund të luajë apo jo ndaj Skënderbeut.