Revolucioni Milan, nga Kesie te mbrojtja

0

Pak ndeshje mjaftojnë për të bërë një bilanc të parë te Milani i ri, ai i kinezëve, i transformuar tërësisht këtë verë nga përforcimet e shumta. Mbrojtja nuk pëson gol, mesfusha ka cilësi dhe forcë, ndërsa në sulm golat nuk mungojnë dhe prej javës së ardhshme i gatshëm do të jetë edhe Kaliniç. Tashmë frika është fshirë: Milani ka ndryshuar, shumë në emra, por shumë edhe në mendje. Montela e pranoi pas ndeshjes: “Më befasoi për mirë përgatitje e ndeshjes dhe mënyra si zbriti në fushë skuadra, me përqendrim të jashtëzakonshëm”.

Ndoshta ishte befasues për të gjithë personaliteti që tregoi Milani në Krotone, duke e dominuar që në fillim ndeshjen, me synimin për ta mbyllur ndeshjen sa më shpejt, diçka që nuk shihej prej vitesh. Merkato e mrekullueshme, mund të thuhet, sepse duket se afrimet cilësore kanë zgjuar edhe lojtarët që ishin në skuadër më parë. Skuadër e re në emra dhe shumë më efikase, për momentin, sepse ndeshjet e vështira nuk kanë ardhur ende.

NUMRAT – Jemi ende në gusht, por Milani i ka luajtur 4 ndeshje zyrtare dhe nuk ka pësuar ende gol. Vëmendje dhe përqendrim maksimal, duke nisur nga Donaruma, me dyshen Muzakio-Bonuçi që dinë se ku ta çojnë topin, duke marrë pjesë edhe në ndërtimin e lojës. Konti e Rodriguez nga krahët tashmë duken një garanci; të aftë të sulmojnë shumë, por edhe të zgjuar aq sa ta kuptojnë se roli kryesor i tyre është mbrojtës.

KESIE – I fuqishëm, i qetë dhe inteligjent, Frenk Kesie ka treguar edhe një herë se është një lojtar kyç në mesfushën e Milanit, lojtari që i mungonte sezonet e shkuar. Kesie vjedh topa, por edhe i shpërndan si duhet ata, duke depërtuar në momentin e duhur në sulm dhe duke u kombinuar shumë mirë me Lokatelin dhe Çalhanoglun. Edhe turku po rritet nga ndeshja në ndeshje: forma po përmirësohet, cilësia po del në pah me pasime të sakta dhe duket se brenda një muaji mesfushori do të jetë në maksimum.

SULMI SHKËLQEN – Sapo ka ardhur Kaliniç, por në Krotone mendoi Kutrone të bënte e të krijonte gola. Edhe André Silva tregoi se ka teknikë e elegancë dhe u ndal vetëm nga mrekullitë e portierit Kordaz. Nëse vazhdohet kështu, Montela do të jtë në hall për sulmuesin titullar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.