Revolucioni i heshtur i Devollit, te Tomori nuk ka të paprekshëm

Ndoshta duke qenë nën efektin dhe euforinë e fitores së parë në kampionat në shtëpinë e tyre, pak shumë e kuptoi, apo u ndal që të analizonte pikërisht atë çfarë sollën disa ndryshime të rëndësishme në formacionin titullar të skuadrës së Tomorit në ndeshjen me Turbinën të shtunën e kaluar.

Është parë qartë se tekniku Bledar Devolli thuajse ka kryer një revolucion në skuadër, duke lënë jashtë formacionit titullar jo pak, por disa futbollistë titullarë dhe shumë të njohur, të cilët mund të cilësoheshin gati si të paprekshëm në fillim të kampionatit si portieri Kaloshi, mbrojtësi i majtë dhe zv/ kapitenin Paja, apo edhe mesfushorin e spikatur Sharavolli, të cilët kanë qenë jashtë formacionit për ndeshjen e kaluar.

Pas fitores, i pyetur nga Sport Ekspres se çfarë nënkuptonin këto ndryshime, apo nëse është ky një revolucion nga ana e teknikut Devolli, ky i fundit edhe pas ditës së dytë të stërvitjes së kësaj jave, është përpjekur që të hedhë më shumë dritë në lidhje me filozofinë e tij të punës, duke premtuar se edhe në ndeshjen e radhës në transfertën e Fierit këtë fundjavë, do t’u besojë më së shumti futbollistëve që shfaqin formë të lartë sportive dhe jo emrave të përveçëm.

DEVOLLI – “Kushdo, brenda dhe jashtë skuadrës së Tomorit, duhet ta kuptoj një herë e mirë filozofinë time të punës, që unë nuk nisem të vlerësoj futbollistët nga emri apo fama e tyre, por nga puna që zhvillojnë dhe forma që tregojnë në stërvitje dhe ndeshje zyrtare. Kështu duhet kuptuar veprimi im me Turbinën dhe kështu do të jetë edhe në transfertën e Fierit këtë javë ku do të kërkojmë maksimumin, sepse ka ardhur koha që tek Tomori të luash me djersë dhe jo me emër, dhe unë kështu di të punoj”, ka mbyllur Devolli shpjegimin e tij, pasi ka lënë në pankinë disa nga titullarët e skuadrës në ndeshjen e kaluar.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *