Presidenti i Lionit Zhan-Pol Olas ka habitur duke i besuar “frerët” e klubit të tij dyshes së ish-futbollistëve brazilian Silvinjo dhe Zhuninjo. Ky i fundit rikthehet në klubin ku gëzon statusin e një legjende. Zhuninjos i është besuar posti i drejtorit teknik, rol ky që e vendos në krye të strategjisë së merkatos së Lionit.
Ish-lojtari i Barcelonës, Silvinjo është emëruar trajneri i ri skuadrës duke pasuar Bruno Zhenesion, i cili pritet që së shpejti të fillojë punën në një klub të Premier League.
Silvinjo nuk ka punuar kurrë si trajneri i parë, por në dekadën e shkuar ka fituar eksperiencë të çmuar si zëvendës-trajneri i Roberto Mançinit tek Interi dhe më pas në të njëjtin rol te Brazili duke asistuar teknikun Tite. Të dyja lëvizjet shihen si baste të rrezikshme, por tashmë vendimi është marrë.