Revoltë e kuqe, “Ultras Guerrils” i shpallin luftë dyshes Starova-Haxhia

“Ultras Guerrils” rrallë prononcohen e dalin me qëndrime zyrtare për çështjet e brendshme të Partizanit, duke ruajtur distancën me presidentin Gaz Demi dhe duke i besuar verbërisht këtij të fundit.

Megjithatë, duket se durimi ka sosur te ultrasit e kuq, që titullin e ëndërruar prej vitesh mund ta marrin vetëm si dhuratë nga FSHF, ndërsa edhe në Europë erdhi një eliminim i hidhur, me një Partizan që kishte hije e vetvetes dhe që u dobësua shumë pas largimit të disa titullarëve në maj.

Sot “Ultras Guerrils” kanë dalë me një qëndrim të ashpër, duke akuzuar Sulejman Starovën dhe Edmond Haxhinë për ecurinë e keqe të Partizanit.

“Ne nuk jemi specialistë futbolli, ne jemi specialistët e fushës sonë, aty jemi më të mirët, por kur shohim blerje pa fund që largohen si dështime, të tipit Volas, Azubel apo Bonifejs, dhe kur mungesa e afrimit që pretendohej krijon vakuum në ekip, atëherë kemi të drejtën e të gjithë botës të mendojmë se drejtuesit ose janë të mefshtë, ose të paaftë. Por duke parë që janë të gojës në televizione dhe gazeta, na mbetet të mendojmë se është kjo e dyta!”, shkruajnë “Ultras Guerrils” ndër të tjera, duke paralajmëruar edhe futbollistët, që të mendojnë më shumë për fushën e blertë, sesa për rrjetet sociale.

DEKLARATA E PLOTË

“Nuk kemi dashur kurrë që të ndërhyjmë në punët e klubit dhe, me ndonjë përjashtim të rrallë, i kemi lënë gjithnjë të qetë në punët e tyre, për të pritur më pas fundin e sezonit dhe për të vënë pikat mbi “i”, për atë që tifozët e Partizanit presin dhe për atë çka drejtuesit u kanë servirur.

Për ne ky sezon është një dështim total!

Që në krye të herës na duhet të përdorim tone të ashpra karshi atyre që ne cilësojmë përgjegjës për zhgënjimin e radhës. Këshilltari-trajner, Sulejman Starova, dhe drejtori i papërcaktuar në klub, Edmond Haxhia, sipas gjykimit tonë modest, janë përgjegjës për dështim dhe fajtorë në shpërdorim të financave të klubit. Ne nuk jemi specialistë futbolli, ne jemi specialistët e fushës sonë, aty jemi më të mirët, por kur shohim blerje pa fund që largohen si dështime, të tipit Volas, Azubel apo Bonifejs, dhe kur mungesa e afrimit që pretendohej krijon vakuum në ekip, atëherë kemi të drejtën e të gjithë botës të mendojmë se drejtuesit ose janë të mefshtë, ose të paaftë. Por duke parë që janë të gojës në televizione dhe gazeta, na mbetet të mendojmë se është kjo e dyta!

Ndaj, mendojmë se Starovës i ka ardhur koha që të dalë realisht në pension, ndërsa Haxhia duhet të largohet përfundimisht nga Partizani.

Familja jonë e madhe meriton më shumë sesa kaq.

Nuk mund të dalësh të përkëdhelësh tifozët kaq dendur si kurrë më parë pikërisht kur e ndjen se toka poshtë këmbëve të ka rrëshkitur. Nuk mund të dalësh e të thuash se ky sezon që lamë pas ishte i suksesshëm pasi suksesin e fundit në kampionat e kemi në vitin 1993 dhe në trofe në vitin 2004! Nëse përsëritja e arritjes së një sezoni më parë cilësohet sukses nga ata që pretendojnë se bëjnë gjoja më të mirën për Legjendën, atëherë duhet të themi pa e zgjatur shumë se rrugët tona ndahen këtu! Të tillë drejtues nuk do mund të gëzojnë më kurrë mbështetjen tonë! Ne pretendojmë shumë, meritojmë shumë më tepër, por mos bëni gafë ta ngatërroni pasionin tonë pa kufi me pranimin e një situate që nuk na pëlqen! Ne nuk do të bëhemi vegla të askujt. Ne mbështesim Partizonin dhe jo Starovën dhe jo luftën e tij për pushtet me kundërshtarë të caktuar. Drejtuesit shkojnë e vijnë, Partizani dhe tifozëria mbetet!

Ndaj përgjigjen e kësaj sapo e morët.

Së dyti, për të gjithë lojtarët e “Instagram”-it dhe “Facebook”-ut, për të gjithë ata që më shumë sesa djersë në fushë derdhin djersë si “kampionë” të rrjeteve sociale. Ju kemi mbështetur gjithnjë, është koha të mendoni atë çfarë nuk keni dhënë në fushë për të na bërë neve të lumtur. Mos kujtoni se mbështetja jonë e pakonpromis është diçka që ju mund ta anashkaloni kaq lehtë si me një duartrokitje në fund të takimit.

Jo më!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *