Kukësi na mban në garë, ndryshe kthim “në mesjetë”

Në katër vitet e fundit, të paktën dy skuadra shqiptare kanë kaluar një tur në Europë. Nëse kampionët nuk kalojnë Sherifin, atëherë do të kthehemi në identitetin “e preferuar”

Anton Cicani

Sezonin e ri futbollistik do të luajë në Kategorinë e Parë, por ishte vera e vitit 2012 kur skuadra e Tiranës arrinte të mbante lart flamurin e futbollit shqiptar në Europë… Muçollari dhe Nertil Ferraj, tani te Sopoti i Librazhdit dhe Kamza, do t’i jepnin kualifikimin për në turin e dytë të Europa League pasi mundën skuadrën luksemburgase të Grevenmaherit. E ndërsa sot bardheblutë do të duhet të lundrojnë në ujërat e trazuara të kategorisë së mëposhtme, nuk ia kalojnë më mirë luksemburgasit, të cilët rrezikuan rënien në kategorinë e tretë, teksa edhe sezonin tjetër do të luajnë në ligën e dytë në një kampionat ku të thuash amatorë ndoshta është edhe vlerësim… Por, të kthehemi në atë edicion, pra pesë vjet më parë, kur vetëm një ekip shqiptar do të vazhdonte më tej. Tirana do të gjente në rrugën e saj Alesundin norvegjez, që do ta shkatërronte.

Jonathan FURST (Grevenmacher), Elton MUCOLLARI (Tirana) / Fussball Europa League Qualifikation Saison 2012/13 10.07.2012 CS Grevenmacher – FK Tirana / Foto: Ben Majerus

Ishte edicioni i fundit ku paraqiteshim aq dobët dhe ku tregonim se edhe një ekip i përbërë nga kamerierë, bankierë, punëtorë administrosh dhe juristë e avokatë, na lëkundën aq shumë sa edhe shtyllat e goditur në sfidën e mbyllur 0-0 jashtë fushe për Tiranën. Ndërkohë, atë edicion, Teuta braktiste kompeticionin përballë Metalurg Rustevit të Gjeorgjisë, ndërsa Flamurtarin e dërgonte në shtëpi një emër i madh hungarez si Budapest Honved. Për kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, Debreçeni ishte shumë e fortë, edhe pse korçarët tentuan të rezistonin në dy ndeshje. Shumë diferencë dhe pak eksperiencë nga shqiptarët.

Flora Talin-Kukesi, debutimi i verilindoreve ne Europe, perpara kater vjetesh

Viti i kthesës – E megjithatë, një edicion më pas, pra në verën e vitit 2013 erdhi edhe kthesa e madhe. Sepse, Skënderbeu dhe Kukësi shkruan historinë duke bërë një ecuri të magjishme. Sidomos verilindorët, që shijonin për të parën herë terrenin evropian. Plot tre ture të kaluara dhe ndalesa në play-off të Europa League, përballë Trabzonsporit me një buxhet 20-fish më të madh. Një histori, ajo e kuksianeve, e nisur në Talinin e largët, kur një goditje dënimi e Gerhard Prognit do t’i jepte lavdinë Cungut dhe të tijëve, që në “Qemal Stafa” barazuan 0-0 në sfidën e dytë. Kështu, u desh që ndan Sarajevos të vinte një tjetër arritje, në turin e dytë, por në turin e tretë erdhi magjia dhe mrekullia, kur ndaj ukrainasve të Metalurg Donetskut, verilindorët do të kalonin më tej, me një Yll Hoxha të papërmbajtshëm. Nga Kukësi te Skënderbeu, arritja shkoi paralelisht. Korçarët arritën që të kalonin Neftçi Bakun pas një sërë vështirësish në turin e dytë të Champions, ndërsa më pas do të eliminoheshin nga Shahtar Karagandi, pasi iu afruan përmbysjes së pamenduar në “Qemal Stafa”, duke shkuar 3-0 në pjesën e parë, pasi kishin humbur me të njëjtin rezultat në Kazakistan. Por, pas pushimit, miqtë shënuan dy gola duke shuar ëndrrat. Sakaq, Laçi dhe Teuta jepnin lamtumirën duke dalë në tur të parë të Europa League, ndaj Diferdanzhit dhe Daçia Kishinjevit.

Bate Borisov-Skenderbeu, vera e vitit 2014, eliminimi i korcarve

Luhatje – Sezoni tjetër do të sillte luhatje të dy ekipeve të vendit të parë. Në fakt, Skënderbeu u eliminua përballë Bate Borisovit në dy ndeshje dramatike. Ishte turi i dytë i Champions, ashtu sikurse Kukësi do të largohej në tur të parë, përballë Kairatit kazak. Ndërkohë, flamuri shqiptar me të paktën dy skuadra më tej u mbajt nga Flamurtari dhe Laçi. Vlonjatët eliminuan Sion Bolnisin e Gjeorgjisë,ndërsa u ndalën në tur të dytë nga rumunët e Petrolul Ploieshtit, ndërsa kurbinasit kaluan Rudar Velenjen e Sllovenisë dhe u përballën me fuqinë ukrainase të Zorias.

Skenderbeu-Dinamo Zagreb, play off i Champions

 

Fantastike! – Jemi në edicionin e historisë. Ai ku ndoshta të gjithë shqiptarët janë ndjerë pak krenarë, sepse më në fund një ekip shqiptar iu afrua ëndrrës për të prekur, sadopak, edhe Champions, pra fazën e grupeve. Skënderbeu solli në Korçë kolonën zanore të Kupës së Kampionëve dhe stemën, por Dinamo Zagrebit ishte shumë më i fortë. Përpara tij, në rend kronologjik, u kaluan Krusejdërs dhe Milsami në tur të dytë dhe të tretë të Champions. Një biletë për në grupet e Europa League, aty ku sigurisht eliminimi dhe vendi i fundit ishte thuajse i pashmangshëm. Në po atë vit, Kukësi kthehet të bëjë “Kukësin”… Deri në tur të tretë të Europa League, pasi u kaluan në rend kronologjik Torpedo BelAZ dhe Mlladost Podgorica, në një fitore të thellë jashtë fushe. Por, Legia e Varshavës ishte tepër e fortë. Një ndeshje e parë e kaluar me incidente dhe ndërprerje ndeshje, pas një guri që goditi lojtarin polak. Humbje 0-3 në tavolinë dhe ëndrra e “asgjësuar”. Në anën tjetër, Partizani, që rikthehej në Europë pas një kohë të gjatë, do të pësonte eliminimin nga norvegjezët e Stromsgodsetit, ashtu sikurse edhe Laçi s’do t’ia dilte dot ndaj Inter Bakut, edhe pse në Azerbajxhan bëri më të mirën.

Furia e kuqe – Vera e sezonit 2016-2017 shoqërohet me dënimin e Skënderbeut si kampione, për të mos marrë pjesë në Europë. Kështu, në Champions, pasi ka luajtur ndeshjen e turit të parë të Europa League (ndaj Slovan Bratislavës, 0-0), e gjen veten skuadra e kuqe, përballë Ferencvaroshit. Dy ndeshje 1-1 dhe penalltitë e super Alban Hoxhës çojnë Partizanin në turin e tretë, ndaj Salcburgut, që rezulton shumë më i fortë. Në play-off të Europa League, Partizani nuk mund të bëjë dot asgjë përballë një skuadre me buxhet faraonik në krahasim me kryeqytetasit.  Sakaq, Kukësi kalon një tur gjithashtu, të parin e Europa League, duke u eliminuar në të dytin nga një emër “big”: Austria e Vjenës. Teuta, sakaq, dorëzohet pa kushte ndaj Kairatit.

Forca Kukësi  – Jemi në edicionin ku rrezikojmë të kthehemi në “mesjetë”, pra te Tirana-Grevenmaher, apo të mbajmë këtë mesatare që kemi mësuar të shohim në katër vitet e fundit. Praktikisht, gjithçka në dorën e Kukësit, sepse Partizani dhe Tirana janë larguar që në tur të parë të Europa League, ndaj Botev Plovdivit dhe Makabi Tel Avivit. E ndërsa dështimi i bardhebluve pritej, ai i të kuqve është një zhgënjim total. Skënderbeu, sakaq, ka respektuar pritshmërinë dhe ndaj ekipit të Andorrës, San Zhulias, ka dhuruar edhe goleadë, duke shkuar në turin e dytë, ndaj Kairatit.

Kështu, mbetet Kukësi kampion, përballë Sherif Tiraspolit. Në rast se do të kalojë, do të vazhdojmë të mbajmë ritmet tona, por në rast të kundërt, atëherë topi shqiptar kthehet sërish në portën e tij dhe do të duhet një sulm tjetër i gjatë për të arritur në portën kundërshtare.

Vetëm një ekip kaloi të paktën 1 tur

Sezoni 2012-2013

Tirana (kalonte në tur të dytë E.League)

Skënderbeu (eliminohet në tur të dytë Champions)

Teuta (eliminohet në tur të parë E.League)

Flamurtari (eliminohet në tur të parë E.league)

 

Dy ekipe kaluan të paktën 1 tur

Sezoni 2013-2014     

Skënderbeu (shkoi deri në play off E.League)

Kukësi (shkoi deri në play off E.League)

Laçi (u eliminua në tur të parë E.League)

Teuta (u eliminua në tur të parë të E.League)

2014-2015

Flamurtari (shkoi deri në tur të dytë të E.League)

Laçi (shkoi deri në tur të dytë të E.League)

Skënderbeu (u eliminua tur të dytë Champions)

Kukësi (u eliminua në tur të parë E.League)

2015-2016

Skënderbeu (shkoi deri në grupet e E.League)

Kukësi (shkoi deri në tur të tretë të E.League)

Partizani (u eliminua në tur të parë E.League)

Laçi (u eliminua në tur të parë E.League)

2016-2017

Partizani (shkoi deri në play-off të E.League)

Kukësi (shkoi deri në tur të dytë të E.League)

Teuta (u eliminua në tur të parë të E.League)

2017-2018

Skënderbeu (deri tani në turin e dytë të E.League)

Kukësi (duhet të luajë turin e dytë të Champions)

Partizani (u eliminua në tur të parë E.League)

Tirana (u eliminua në tur të parë E.League)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online