Gjergji Stefa
Ishte Tirana që ndoshta nuk e prisnim. Të jemi realistë, edhe një humbje me 3-4 gola diferencë nuk do të ishte fundi i botës, fundja bardheblutë janë në ditët më të zeza në histori dhe Makabi i tel Avivit ka disa lojtarë të kombëtares dhe sapo ka shitur për 2.9 milionë euro Tal Ben Haimin te Sparta e Pragës, ku do të marrë një milion euro në sezon. Shifra të frikshme, që flasin vetë për diferencat e mëdha mes dy klubeve. E megjithatë, në fushë ishte një Tiranë dinjitoze, e bukur për ata që ishin realistë se një skuadër U-21 nuk mund të bëjë mrekulli, aq më shumë që trajneri është i ri dhe stërvitja sapo ka nisur. Stadiumi në Netanja nuk ishte i tejmbushur, por numri i tifozëve ishte shumë i madh dhe nga Makabi ishin disi të habitur që shkuan aq shumë tifozë për një ndeshje që ndoshta nuk joshte edhe aq shumë mediatikisht. Ndoshta ndikoi distanca e vogël mes Tel Avivit dhe Netanjasë, sepse u krijua një atmosferë e nxehtë dhe e bukur, ku tek-tuk dëgjohej vetëm ndonjë fishkëllimë për skuadrën vendase.
Karabeci, një “gjysh” krahasuar me “fëmijët” që kishte hedhur në fushë Ze Maria, luajti një ndeshje të shkëlqyer, por edhe Mervejl e Akua u paraqitën shumë mirë. Izraelitët herë pas here të shikonin të habitur dhe thoshin: Nuk qenka aq keq kjo skuadër, e sigurt që ka rënë nga kategoria në Shqipëri? Pas ndeshjes drejtues të Makabit nuk e fshehën habinë, duke diskutuar para konferencës për shtyp, pasi nuk e prisnin një ndeshje kaq të ndërlikuar. Ndërkaq, presidenti Refik Halili dukej i kënaqur, pasi mbi rrënojat e sezonit të fundit duket se ka nisur të ndërtohet diçka premtuese. Pas ndeshjes futbollistët bardheblu nuk ishin të lumtur, por as të dëshpëruar nuk dukeshin. Ishte një eksperiencë e bukur, u evitua katastrofa dhe kjo ka rëndësi. E ardhmja nuk është shumë e errët, edhe nëse shiten 2-3 emrat më të kërkuar në treg.
Të veçanta
-7000 tifozë ishin të pranishëm dje në stadium.
-Në disa çaste tifozët e Makabit kanë duartrokitur miqtë nga Tirana për lojën dhe kanë vërshëllyer ekipin e tyre nga i cili prisnin më shumë gola.
-Për veç Likës, Krabecit e ndonjë tjetri, të gjithë lojtarët e tjerë bardheblu e kishin debutim ndeshjen e djeshme në Europë.
-Edhe tifozët e Makabi Tel-Avivit për koiçidencë quheshin “Makabi Fanatics”, ashtu si dhe “Tirona Fanatics”.
-Dorian Kërçikut nuk i ecën. Në fillim lojtari çahet në ballë dhe detyrohet që të luajë i fashuar. Më pas merr një goditje gjatë një dyluftimi dhe detyrohet që trajneri Ze Maria ta ndërrojë në pjesën e dytë.
-Trajneri i Tiranës, Ze Maria, nuk e ka humbur rastin e transfertës në Izrael për të vizituar edhe Jeruzalemin e famshëm. Braziliani është zgjuar shumë herët sot në mëngjes, për të udhëtuar rreth 70 km për në Jeruzalem.