Rëndësia e të pasurit një Bushiç

Kur Flamurtari bëri revolucion në verë, trajneri Shpëtim Duro kishte dorë të lirë të largonte e afronte këdo që mendonte se i vlente apo jo projektit të tij. Trajneri kuqezi i vendosi pak kushte administratorit Sinan Idrizi dhe dy prej tyre ishin: të evitohen problemet financiare të viteve të fundit dhe të mos lejohet largimi i Tomisllav Bushiç. U tha, u bë: Bushiç ishte i pari që rinovoi në Vlorë, një pikë kyçe në formacionin e Duros, i cili tani i ka dhënë edhe shiritin e kapitenit. Kroati po e shpërblen, me 3 gola në 3 ndeshje dhe një lojë fantastike, duke u kthyer në një pikë referimi për skuadrën. Në një kampionat që është varfëruar ndjeshëm këtë sezon, pas largimit të disa emrave me peshë duke nisur nga Pero Pejiç, Bushiç mund të jetë një Pejiç i ri.

Në fakt, ka shumë të përbashkëta mes tyre, duke përfshirë faktin që edhe Bushiç ka luajtur te Slaven Belupo, por ndoshta Bushiç nuk ka pasur fatin dhe nuk ka bërë zgjedhjet e Pejiçit, i cili ka luajtur gjithnjë në skuadra milionere, të ndërtuara për tituj. Jo Bushiç. Ai ka luajtur te Vllaznia, jo ajo e lavdishmja që ia kemi harruar bëmat; ka luajtur te Tirana, edhe ajo një hije e vetvetes prej vitesh; ka luajtur te Flamurtari i vjetshëm, plot halle e stres, ku gjithsesi i shënoi 10 gola në kampionat. Flamurtari i këtij sezoni duket ndryshe. Duket, sepse duhet të presim ende, por për momentin Sinan Idrizi meriton lëvdata për organizimin e ri të punës në klub. Mos ta teprojmë, sepse lëvdatat duken servilizëm dhe Idrizi duhet të tregojë me fakte se mund ta mbyllë një sezon pa revolucion e pa vonesa pagesash (nuk është faji i tij, thotë Idrizi, por ku duan t’ia dinë lojtarët e tifozët).

Duke u kthyer te Bushiç: Flamurtari ka realisht sulmuesin më të mirë të kampionatit në përbërje, harrojini Soue, Çani e Alijev. Qoftë edhe për faktin se këta të fundit nuk e njohin fare Superioren, Bushiç qëndron më lart dhe Shpëtim Duro e di mirë, ndaj e donte me çdo kusht. Skuadra funksionon, topat në sulm po shkojnë me shumicë, jo vetëm për Bushiç, ndaj në Vlorë duhet të buzëqeshin dhe të shkojnë në stadium, sepse ky Flamurtar premton shumë. Ia thoni edhe kryetarit të bashkisë, se zor se lexon gazeta sportive!

Blerim Jahaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online