Ledian Memushaj është një nga lojtarët më me eksperiencë te kombëtarja e drejtuar nga Kristian Panuçi dhe luan prej vitesh në Itali. Mesfushori i Peskarës është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Xhusepe Pilon dhe trajneri i Peskarës pranoi për mediat se mesfushori shqiptar është një lojtar që do e donte çdo trajner.
“Më vjen keq për Memushajn, pasi në momentin e tij më të mirë i kam ndërruar pozicion. Dëmtimet e shumta në mesfushë nuk më kanë lënë zgjidhje tjetër, por ta kthej si mesfushor para mbrojtje. Kjo gjë nuk e ka bezdisur aspak dhe për këtë gjë jam shumë i kënaqur.
Lediani është profesionist i vërtetë dhe luan aty ku ka nevojë skuadra. Si mesfushor qendre, të gjithë e dinë se çfarë aftësish ka, por dhe si numër 6 ka bërë mirë dhe jam shumë i kënaqur me paraqitjet e tij”,- përfundoi Pilon.