Trajneri i korçarëve ka rolin e tij vendimtar në këtë titull, që për të është i treti në karrierë. E veçon nga dy të parët, sepse i shtohet suksesit europian
Leonard Trebicka
Ka më shumë se 16 muaj në krye të Skënderbeut, të cilit i ka dhënë sadopak “fytyrën” e tij. Sapo ka fituar titullin kampion, që një sezon më parë i shpëtoi jo për faj të tij. Pas atij të fituar me Elbasani dhe Dinamon, ky është i treti për Dajën, trajnerin e parë në historinë e futbollit shqiptar, që në krye të Skënderbeut, kaloi 4 ture në Europë. Një sezon për kornizë i të besuarve të trajnerit kryeqytetas, që kanë dhuruar emocione pa fund për tifozët korçarë, edhe pse kanë pasur një ngarkesë të jashtëzakonshme, duke luajtur njëkohësisht në tre kompeticione. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, trajneri Daja i bën skanerin gjithë këtij sezoni, që po shkon drejt mbylljes dhe që shpreson të finalizojë me trofeun e kupës.
– Daja, kanë kaluar pak ditë nga zyrtarizimi i titullit. Jeni ende “i dehur” nga ky sukses?
– Do të thosha i gëzuar, jo “i dehur” nga suksesi. Ishim të lodhur dhe donim ta mbyllnim sa më parë këtë trofe. E mbyllëm më në fund.
– Titulli i parë me Skënderbeun, i fituar në një sezon shumë të gjatë?
– Trofeu më i suksesshëm personal. Titulli i parë që fitoj me Skënderbeun, pas kalimit të 4 tureve në Europë dhe përfaqësimit dinjitoz në grupet e Europa League. Titulli i tretë personal.
– Çfarë të veçantë në krahasim me titujt e tjerë që keni fituar në 2006-ën me Elbasanin dhe 2008-ën me Dinamon?
– Çdo titull ka të veçantën e vet. Me Elbasanin, kur mora detyrën e trajnerit, ishte java e 3-të dhe deri në javën e 36-ë kryesuam. Titulli i dytë, ai me Dinamon, erdhi në një ndeshje finale. Javën e fundit luanim me Partizanin e vendit të dytë dhe për shumë minuta ishim me dy lojtarë më pak. Por më i veçantë është ky me Skënderbeun, sepse shoqërohet me dy arritje të mëdha: përfaqësimin e jashtëzakonshëm në Europë dhe jemi gati të fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë.
– Ti marrim me radhë, si e kujtoni titullin me Elbasanin?
– Ishte hera e parë që drejtoja atë skuadër. E thashë se kryesuam bindshëm gjithë kampionatin, që në javën e 3-të. Mbaj mend festën e titullit, ku presidenti Arben Laze vendosi të dilnim me autobus të hapur në qytet, si shumë skuadra me emër në Europë.
– Po titulli me Dinamon?
– Luajtëm 40 minutat e fundit me 9 lojtarë. Na bënte punë edhe barazimi dhe ajo ndeshje u gjykua nga një treshe italiane, madje kryesori gjykon sot në Serinë A, emri nuk më kujtohet. Ai dënoi me kartonë të kuq Pollozhanin dhe Kulin. Ishim barazim dhe në minutën e 91-të shënuam golin e fitores me Ferrajn. Një trofe që mbahet mend gjatë.
– Keni pak më shumë se 16 muaj në stolin e Skënderbeut dhe ja ku fitoni titullin e tretë personal…
– Në fakt, objektivi i klubit ishte titulli edhe sezonin që shkoi, në gjysmën e dytë të të cilit morëm më shumë pikë se çdo skuadër tjetër. Me të njëjtin kontigjent kaluam 4 ture në Europë dhe shkuam deri në fazën me grupe. Ishte një periudhë, ku grupit iu shtua vetëm Muzaka. Soue erdhi në fund, në ndeshjen me Dinamon e Zagrebit. Ja ku jemi tani me titullin të fituar.
– Cili titull është më i bukuri për ju?
– Çdo trofe është i bukur, por ky me Skënderbeun është më i plotësuari. Vetëm Makabi i Telavivit ka arritur suksesin tonë, duke kaluar 4 ture për të shkuar në grupe. Nuk humbëm asnjë ndeshje në shtëpi që nga janari i 2017-ës. Vetëm Kukësi na mundi së fundi. Kemi shënuar me shumë gola se çdo ekip, kemi pësuar më pak. Qëndruam fort edhe pas dënimit nga UEFA, ndaj dhe ky titull është më i bukur. Për 36 javë nuk e lëshuam në asnjë moment kreun. Skënderbeun dua të kujtoj se ka bërë më shumë ndeshje, aq sa klubet e mëdha në Europë.
– Arben Laze, Besnik Sula dhe Ardjan Takaj. Sa ndryshojnë tre presidentë kampionë për ju?
– Secili prej këtyre presidentëve ka profilin e vet. I meritojnë të tre sukseset që kanë arritur. Të gjithë kanë bërë punën e vet, kanë afruar lojtarë cilësorë dhe nuk më kanë ndërhyrë asnjëherë. E kam pasur të vështirë dhe të lehtë të punoj me të gjithë. Atë që u kam kërkuar presidentëve ma kanë plotësuar. E theksova, nuk më kanë ndërhyrë. Ky lloj respekti ka bërë që punët të shkojnë mirë.
– Daja, u patë shumë i shqetësuar të mërkurën, kur Lushnja po kryesonte 2-0. Çfarë menduat realisht?
– Të them të drejtën, pa i hequr asnjë meritë Lushnjës, që na ka vënë në vështirësi gjithmonë, më shqetësonte loja e ekipit, pasi lojtarët e kishin marrë shumë lehtë, prandaj isha aq shumë i nxehur, sa e kanë vënë re të gjithë.
– Si festuat, pasi mësuat rezultatin e Kukësit?
– Titulli po shtyhej nga ndeshja në ndeshje, por dua t’ju them se ishte i mbyllur për ne prej javësh. Më bënte nervoz fakti që nuk po e mbyllnim matematikisht. Gjithmonë kam dhënë maksimumin për këtë skuadër. Nuk doja që lojtarët ta vinin në dyshim, sepse edhe ata kishin sakrifikuar shumë.
– Pasi siguruat titullin kampion, kush ju uroi i pari, e mbani mend. Po urimi më special?
– Nuk kam pasur ndonjë urim special, të flas realisht, sepse pas Lushnjës u shpërndamë të gjithë dhe duhet të prisnim ndeshjen e mbrëmjes. Nuk është se kishte aq shumë adrenalinë që të festonim shumë. Festa e vërtetë do të jetë kur të vijë trofeu në Korçë.
– Jeni takuar me presidentin Takaj, si e ka pritur ai këtë trofe?
– Për koincidencë sot (dje) kam folur në telefon me presidentin Takaj dhe kemi uruar njëri-tjetrin për titullin. Është një meritë e madhe e presidentit ky trofe, që gjithë këto vite ka investuar.
– A ka një sekret ky Skënderbe?
– Puna e jashtëzakonshme, shumë pak ditë pushimi dhe preokupim maksimal në çdo stërvitje. Ka një kohezion të përbashkët, me qëllim arritjen e objektivit.
– Që javën e parë keni kryesuar dhe nuk e keni diskutuar për asnjë moment vendin e parë. Kaq i lehtë ky trofe?
– Me këtë nuk pajtohem, nuk ka trofe të lehtë. E kam dëgjuar shumë herë këtë gjë dhe nuk ka qenë aspak i lehtë. E bëmë ne të dukej trofe i lehtë. Me të gjithë ekipet që kemi luajtur, kemi bërë diferencën. Kemi pasur mentalitet fituesi, që nga presidenti, stafi, lojtarët dhe të gjithë. “Qershia mbi tortë” për mua është tifozëria, që na ka dhënë mbështetje të jashtëzakonshme.
– Kë do të vlerësonit më shumë te Skënderbeu nga lojtarët?
– Të gjithë kanë meritën e tyre, që nga porta me eksperiencën e Shehit, senatorët e tjerë si Vangjeli, Lilaj, Radas, Muzaka, Osmani, etj.
– Çfarë note i vë trajneri Daja mbrojtjes?
– Jo vetëm mbrojtjes, por edhe mesfushës e sulmit, pra gjithë ekipit, i vë notën 10.
– Mema, Bozhiqi dhe Liçi, sa ju kanë ndihmuar në punën tuaj?
– Prodhojnë të gjithë shumatoren e asaj që i takon një stafi teknik të shkëlqyer.
– Daja, po diskutohet ekipi që do të shoqërojë Lushnjën në Kategorinë e Parë. Bie Vllaznia, Kamza apo Teuta?
– Më vjen keq për ekipet që nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Për këdo që të bjerë, do të ndjej hidhërim që do të largohet nga Superliga. Ashtu si një trajner që ka si objektiv titullin dhe kur nuk e arrin ndihet keq, edhe ata trajnerë ndihen po kështu, kur nuk realizojnë objektivin e qëndrimit.
– Në këto 16 muaj nuk e kishit vënë ndonjëherë në dyshim stolin, por pak ditë më parë ishit pranë dorëheqjes. Pse?
– Për shkak të dozës së madhe emocionale që kisha pas ndeshjes, kur ekipi u shthur nga ana taktike. Të vjen keq kur kërkon disiplinë taktike dhe nuk e gjen. Faktorët ishin të shumtë që e mendova një gjë të tillë dhe vazhdoj të jem i bindur se vendimi i Apelit në UEFA la gjurmë te ne.
– Jeni i vetmi trajner që keni rezistuar këtë sezon në ekipet e Superiores. Si ndiheni?
– Nuk është sukses i Dajës, por është sukses i institucionit të trajnerit, sukses i presidentin Ardjan Takaj. Shumë presidentë në Shqipëri nuk i japin kohën e duhur trajnerit, por e largojnë. Takaj është presidenti i duhur në këtë drejtim.
– Cilin do të veçonit nga kolegët tuaj për punën që ka bërë këtë kampionat?
– Çdo trajner është më i miri, nëse kudo ku punon, jep maksimumin dhe beson se një ditë do të jetë pjesë e suksesit të grupit që ai drejton.
– Po lojtarin më të mirë të Superligës, kë do të cilësonit?
– Do të thosha se lojtari më i mirë nuk është ai lojtar që quhet i talentuar, por ai që ka karakter sportiv dhe të tillë ka shumë. Prandaj nuk do të përmend asnjë emër.
– Me cilin president keni marrëdhënie të mira, përveç Takaj?
– Pothuajse me të gjithë presidentët që kam punuar kam marrëdhënie korrekte. Ju them të gjithëve se çdo president duhet respektuar, sepse është ai që investon milionat për ekipin e tij.
– Po ndeshja që jeni ndjerë më në siklet në këto 16 muaj që drejtoni Skënderbeun?
– Ndeshja ku nuk e meritonim humbjen, ajo e fundit të sezonit të kaluar në Kukës, ku dorëzuam titullin kampion.
– Ndeshja më e mirë nën drejtimin e Dajës dhe pse?
– Ndeshja më e mirë me Skënderbeun është ajo me Dinamon e Zagrebit verën e kaluar, kur kaluam ë grupet e Europa League. U bëmë pjesë e historisë dhe nuk ka si të mos jetë më e mira.
– Është përgjegjësi e madhe të jesh trajner i Skënderbeut, apo është luks të drejtosh një skuadër të tillë?
– Është përgjegjësi. Skënderbeu në dekadën e fundit është projektuar vetëm për titullin kampion dhe ja ka dalë.
– Një opinion për drejtuesit e Skënderbeut, mund të jepni?
– Kanë fituar eksperiencën e duhur si duhet menaxhuar një klub. Besoj se ky është edhe çelësi i suksesit dhe asnjëherë nuk kanë marrë vendime emocionale.
– Kupën e Shqipërisë nuk e fituat vjet në finalen me Tiranën. Po tani ndaj Laçit?
– Edhe vjet ishte viti i duhur. Por pas atyre ndeshjeje të shkëlqyera që bëmë, nuk na bëri përshtypje. Besoj se këtë vit do të jemi ne ata që do ta fitojmë dhe nëse e bëjmë, do të jetë “qershia mbi tortë”.
– Lojtari që ju sjell në humor te Skënderbeu dhe që mban “gjallë” skuadrën me batuta?
– Kam gjetur një grup lojtarësh të shkëlqyer dhe ky është elementi kryesor në rrugën e suksesit. Nuk do të veçoja ndonjë lojtar, sepse do të krijoja më pas probleme me menaxhimin.
– Po futbollisti që e përmendni më shpesh?
– Përsëri nuk do të them emra, vetë lojtari e di, sepse e përmend më shpesh në çdo stërvitje.
– Keni diçka për të thënë për Orges Shehin, i cili ka thyer çdo rekord dhe është në prag të lamtumirës?
– Përtej asaj që e dinë të gjithë se kush është Orges Shehi, ai është një shembull për t’u ndjekur. Stërvitet me një specialist të shkëlqyer si Ilir Bozhiqi, por është vërtet një shembull që duhet ta ndjekin ata që duan vërtet të bëhen lojtarë në çdo aspekt.
– Daja kur ka qenë pushimi i fundit buzë detit, ku jeni rehatuar. E mbani mend?
– (Qesh) Kam qenë shumë herë buzë detit, sepse në Durrës zhvillojmë stërvitjen, por s’e kam parë prej vitesh të tëra detin. Kur bisedova sot (dje) me presidentin Takaj, i kërkova të më japë lejë për disa ditë dhe ai më tha me humor: ti je nga ata tipa që e zgjedh vetë lejen.
– Po pushimi i radhës për Dajën, kur dhe ku do të jetë?
– Do të jetë brenda vendit. Kam shumë miq e shokë dhe në çdo moment e ndaj suksesin edhe me ta. Do ta mbyll celularin një javë dhe do ta harroj futbollin. E kam të nevojshme të pushoj pak.
– Daja është njohur si dinamovit, po tani ju vjen mirë t’ju thonë “ujk dëbore”.
– Kam kaluar periudhën më të madhe në një ekip me tradita si Dinamo, si futbollist dhe si drejtues. Sot them me dhimbje se ai ekip nuk e ka vendin aty ku ndodhet. Duke qenë se këtë intervistë po e jap nga Dardha e Korçës, do të më pëlqente të më quanit “ujk dëbore”. Korça është një qytet që e vlerësoj maksimalisht për kontributin në çdo fushë. Ky qytet e ka në gen kulturën dhe edukatën.
– Tifozëria më e mirë në Shqipëria, sipas jush?
– “Ujqërit e dëborës”. Ajo tifozëri që përdor më pak fjalë që nuk janë pjesë e futbollit, është për mua më e mira. Sigurisht, edhe ajo tifozëri që e mbështet ekipin në çdo moment, në të mirë dhe në të keq.
– Po tifozëria më e bezdisshme, që nuk e duron dot Daja?
– Do të bëja gabimin më të madh të thosha kush është tifozëria që më ka bezdisur më shumë. Futbolli, në fund të fundit, luhet për tifozët. Më bezdisin ofendimet e atyre tifozëve që e bëjnë shpesh një gjë të tillë.
– Si e prisni festën e 23 majit, kur do të ngrini lart trofeun?
– E pres me kënaqësi, pas një pune të madhe që kemi bërë të gjithë bashkë. Jo vetëm për Dajën, por për të gjithë aktorët do të jetë një ditë të madhe, ashtu si për qytetin e Korçës.
– Do të deheni natën e festës, çfarë do të pini atë mbrëmje?
– Nuk është pjesë e mirë që një trajner të dehet. Mbrëmjen e 23 majit do ta shijoj në maksimum. Do të preferoja patjetër verë.
– Skënderbeu i Takajt, Skënderbeu i Dajës, apo Skënderbeu i Korçës. Si tingëllon më mirë?
– Skënderbeu është i të gjithëve që kanë punuar dhe ky ekip i përket jo vetëm qytetit të mrekullueshëm të Korçës, por mbarë shqiptarëve. Jemi ndjerë shumë të respektuar nga të gjithë, kudo ku kemi luajtur.
– Sa vite do të qëndrojë Daja te Skënderbeu, e keni menduar?
– Do të qëndroj te Skënderbeu aq vite sa kontributi im t’i shërbejë qytetit. Për një gjë jam i sigurt, do të jap maksimumin.
– Ka lojtarë te Skënderbeu që nuk e preferojnë Dajën në stol? Si mendoni?
– Po përdor shprehjen e një trajnerit elite të futbollit evropian, i cili thoshte: një pjesë dua të më duan, një pjesë të më respektojnë. Nuk mund të të duan të gjithë lojtarët, për këtë të jenë të bindur të gjithë trajnerët. Vetëm 11 do të luajnë në fushë, të tjerët janë konkurrente. Kështu është futbolli.
– Marrëdhëniet me mediet, si i keni?
– Një trajner duhet të ketë marrëdhënie korrekte me mediet. Besoj se secila palë duhet të respektojë tjetrën. Por kur kërkon më shumë klikime, Skënderbeu përbën vetë lajm dhe atëherë raportet nuk do të jenë njësoj.
– Së fundi, gjithë këtë rrugëtim të suksesshëm te Skënderbeu, si do ta përmblidhnit?
– Ishte gjithçka mrekullia vetë.
Lidhja me djalin: Dua që Gleni të ma kalojë!
Lidhja me djalin, Glenin, është shumë e veçantë për trajnerin Ilir Daja. Edhe ai është pjesë e trajnerit dhe natyrisht që e ka të lehtë ta gjejë një model për të ndjekur, babanë e tij. Pore ndërsa babai shpallet kampion, Gleni, me moshat e Akademisë së Dinamos, rrezikon rënien. “Djali më ngushëllonte javë pas jave, kur nuk po e siguronim dot titullin kampion, ndërkohë që edhe unë i thosha këto fjalë: mos u mërzit bir, sepse ti e more ekipin të rrëzuar dhe nuk është se po e rrëzon ti Dinamon. Këto ja thosha për t’ia hequr sado pak mërzitjen. Po më ngjau mua djali, e them troç se nuk do të jem i gëzuar. Dua që Gleni të ma kalojë në të gjitha sukseset që kam arritur”, – është shprehur trajneri Ilir Daja.
Po ik ore se late nam.Ju jeni etiketuar si ekip.Makine mafioze kriminale. Ujqerit e skedinave.
Derdhni leket e vjedhura ….1 meleon uuro.