Reali i Madridit ka mbyllur marrëveshjen me Porton për Eder Militaon. Perez do të paguajë 50 milionë euro te klubi portugez, ndërsa qendërmbrojtësi brazilian do të zbarkojë në Madrid në fund të sezonit. 21-vjeçari ka firmosur me Realin deri në vitin 2025, që fitoi konkurrencën me Çelsin, Mançester Junajtid Liverpulin dhe Interin.
Biznes i shkëlqyer për Porton, që pagoi 4 milionë euro te San Paolo për kartonin e lojtarit, ndërsa klubi brazilian do të përfitojë 10% të shumës së paguar nga Reali (5 milionë euro). Militao, i cili debutoi me kombëtaren e Brazilit në miqësoren e 12 shtatorit të kaluar kundër El Salvadorit, cilësohet si një nga mbrojtësit e së ardhmes, ndërsa deri tani ka zhvilluar 25 ndeshje me “Dragonjtë” dhe ka shënuar 2 gola (një në Champions kundër Shalkes).
Kjo është blerja më e shtrenjtë që Perez ka paguar për një lojtar difensiv në dhjetë vitet e fundit. Kreu i klubit spanjoll nisi aventurën e dytë si president i Realit me datë 1 qershor të vitit 2009 dhe që nga ajo periudhë, Perez ka shpenzuar 226.5 milionë euro për repartin e mbrojtjes.
Raul Albiol nga Valencia (2009) për 15 milionë euro
Rikardo Karvajo nga Çelsi (2010) për 8 milionë euro
Rafael Varan nga Lens (2011) për 10 milionë euro
Fabio Koentrao nga Benfika (2011) për 30 milionë euro
Daniel Karvahal nga Leverkuzeni (2013) për 1.3 milionë euro
Danilo nga Porto (2015) për 31.5 milionë euro
Zhezus Vajeho nga Real Saragoza (2015) për 5 milionë euro
Teo Hernandez nga Alaveshi (2017) për 30 milionë euro
Alvaro Odriozola nga Real Sociedad (2018) për 35 milionë euro
Eder Militao nga Porto (2019) për 50 milionë euro