Reali i Madridit po kalon një nga momentet më të vështira të viteve të fundit. Viti 2019 ka nisur me vetëm një pikë në dy ndeshje, ndërsa problemet e “Los Blancos” nuk kanë fund. Mbi të gjitha në repartin ofensiv, pasi nuk është zëvendësuar akoma një lider dhe goleador si Kristiano Ronaldo.
Florentino Perez po punon për të gjetur elementë cilësorë dhe për të përforcuar ekipin e tij. Dëmtimet e Bejl dhe Asensios kanë reduktuar alternativat e repartit ofensiv dhe nevojitet medoemos një sulmues.
Emri i fundit që ka dalë në pah është Kristof Piatek. 23-vjeçari i Xhenoas është një nga zbulimet më të bukura të Serie A dhe polaku ka shënuar 13 gola në kampionat. Ai ndodhet i dyti në renditjen e golashënuesve, me një gol më pak se Kristiano Ronaldo i Juventusit.
“TeleMadrid” ka zbuluar lajmin dhe Perez i ka kërkuar homologut Preciozi huazimin e sulmuesit. 23-vjeçari është ndër më të kërkuarit në merkato, ndërsa Xhenoa e di mirë se nuk mund ta mbajë për shumë kohë në ekip. Italianët dëshirojnë të fitojnë sa më shumë nga ylli i tyre, ndërsa Reali e kërkon tashmë në huazim.
Paratë nuk janë problem për kampionët në fuqi të Europës, por ata kanë menduar të bëjnë këtë lëvizje për të mos patur probleme me FPF (fair-play financiar). Nga ana tjetër, polaku do ishte i lumtur të vazhdonte karrierën në “Santiago Bernabeu”, por gjithçka varet nga përgjigja e klubit të Xhenoas.