Pa Kristiano Ronaldon Reali fiton, por nëse Zinedin Zidan lë jashtë shumë titullarë, është e qartë që vështirësitë shtohen dukshëm.
Sot Zidan preferoi të linte në stol emra me peshë si Isko e Bejl, pa harruar që Varan ishte i dëmtuar, ndaj trajneri francez eksperimentoi dhe përdori Marselon si anësor ofensiv (mori edhe karton të kuq në pjesën e dytë), ndërsa luajtën nga fillimi shumë lojtarë stoli (Teo, Jorente, Lukas Vaskez).
Zgjedhje e gabuar, sepse Levante, edhe pse debutuese, ka treguar në javët e para se ka ekip mjaft të mirë dhe shkëlqeu edhe në Madrid, edhe pse Enis Bardhi u ul në stol, duke parë se luajti dy ndeshje të plota me Maqedoninë.
Që në minutën e 12-të Ivi shënoi për miqtë, duke shtangur Bernabeun, por Lukas Vaskez në minutën e 36-të i dha qetësi Realit, mes protestave të miqve, pasi pretendonin për një faull nga Ramos në aksionin e golit. Ndërkohë, Zidan mori një lajm të keq, sepse Benzema doli nga fusha duke çaluar, i zëvendësuar nga Bejl.
Pjesa e dytë ishte një betejë mes Realit dhe portierit mik Raul, por gol nuk pati më, me Toni Kros që në shtesë goditi shtyllën.